Lajmet e fundit

Mbledhja e Komisionit për Buxhet dhe Financa

, 09.09.2009




Në mbledhjen e Komisionit për Buxhet dhe Financa të Kuvendit të Kosovës, të kryesuar nga Gani Koci, kryetar i Komisionit, u shqyrtuan tri kërkesa të Ministrisë së Ekonomisë dhe Financave . Pas shqyrtimit, u përkrah procedimi në Kuvend i kërkesës nr. 03/2628 Do-1644 dt. 07.09.2009 për aprovim të numrit të punëtorëve për ekipet përgatitore komunale (EKP), që ka të bëjë me përfshirjen e këtyre punonjësve në listën e pagave. Në vijim gjithashtu u përkrah kërkesa nr. 03/2629 Do-1645 dt. 07.09.2009 për aprovim të transferit të mjeteve financiare nga “Programi i Zgjedhjeve” nga kategoria ekonomike paga dhe mëditje në “Programin e Sekretariatit” në kategorinë ekonomike paga dhe mëditje në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Komisioni përkrahu edhe procedimin e kërkesës nr. 03/2630 Do-1645 dt. 07.09.2009 për rregullimin e numrit të punëtorëve në Autoritetin e Aviacionit Civil, përkatësisht për shtimin e numrit të punëtorëve në tabelat përkatëse nga 13 në 21, por Komisioni njëherësh vendosi të thërrasë ministrin e Ekonomisë dhe Financave për të raportuar para Komisionit lidhur me nivelin e pagave të këtyre punëtorëve.

Pas debatit lidhur me Projekt-Strategjinë nr. 03/2433-DO-1525 dt. 25.06.2009 të Qeverisë së Republikës së Kosovës Kundër Korrupsionit 2009 – 2011, Komisioni u pajtua që ky dokument të përkrahet për procedim të mëtejmë në Kuvend, pasi konstatoi se nuk ka implikime shtesë buxhetore. Në këtë mbledhje u përkrah edhe procedimi i mëtejmë i Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 02/L-33 për parandalimin e konfliktit të interesit në ushtrimin e funksionit publik, me raportin e Komisionit funksional - Komisioni për Legjislacion dhe Gjyqësi, me amendamente.
Mbledhja e Komisionit për Buxhet dhe Financa