Lajmet e fundit

Kryeparlamentari Krasniqi priti udhëheqjen e AKP-së

, 11.09.2009




Udhëheqja Agjencisë Kosovare të Privatizimit në përbërje: Dino Asanaj, drejtor i Bordit të APK-së dhe Shkumbin Bicaj dhe Naim Avdiu, zëvendësdrejtorë të këtij bordi, e kanë dorëzuar sot në Kuvendin e Republikës së Kosovës Raportin e punës njëvjeçare të AKP-së.

Me këtë rast ata i ka pritur kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, dr. Jakup Krasniqi, me të cilët ka biseduar për punën e APK-së dhe me vështirësitë me të cilat ballafaqohet Agjencia.

Duke qenë se ky është raporti i parë i AKP-së që dorëzohet në Kuvend (më parë dorëzoheshin në Bruksel dhe New York), kryeparlamentari Krasniqi ka premtuar se raporti do t’i përcillet komisioneve funksionale parlamentare, të cilat për Kuvendin do të përgatisin raportin me rekomandime lidhur me Raportin e Punës së AKP-së, që do të shërbejë si bazë për debat parlamentar për këtë çështje. Ai ka shprehur kënaqësinë që Agjencia e privatizimit, me gjithë të metat që e kanë përcjellë në të kaluarën, tanimë i përgjigjet Kuvendit.

Krasniqi në këtë takim ka ngritur shqetësimin për vonesat e kthimit të mjeteve financiare prej 20 për qind të vlerës së objekteve të privatizuara, të destinuara për punëtorët që kanë punuar në ato ndërmarrje para privatizimit.

Në këtë takim, në të cilin merrte pjesë edhe anëtari i Kryesisë, Xhavit Haliti, drejtori i Bordit të AKP, Dino Asanaj, ka shprehur kënaqësinë që pas shtatë vjetësh të procesit të privatizimit, tani adresa e përgjegjësisë së Agjencisë është Kuvendi i Kosovës. Ai ka theksuar se Raporti i APK-së përmban analiza për të kaluarën, përshkruan aktualitetin në sferën e privatizimit, si dhe jep projeksione për të ardhmen e këtij procesi të rëndësishëm për ekonominë vendit.

Udhëheqja e Bordit të AKP-së ka kërkuar nga kryetari i Kuvendit që legjislativi i vendit, me miratimin e ligjeve të mira, ta ndihmojë Agjencinë për të përmbyllur me sukses procesin e privatizimit.
Kryeparlamentari Krasniqi priti  udhëheqjen e AKP-së