Lajmet e fundit

Mbledhja e Komisionit për Buxhet dhe Financa

, 16.09.2009




Në mbledhjen e sotme të Komisionit për Buxhet dhe Financa të Kuvendit të Kosovës, të kryesuar nga Gani Koci, kryetar i Komisionit, u shqyrtua Raporti gjashtëmujor nr. 03/2606/DO-016 dt. 14.08.2009, i Buxhetit të Qeverisë së Republikës së Kosovës për vitin 2009. Në fillim, një prezantim të Raportit para deputetëve e bëri zëvendës ministri i Ekonomisë dhe Financave, Bedri Hamza. Ai theksoi se në këtë periudhë është shënuar një ngritje substanciale e të hyrave , të cilat arrijnë në 420 milionë euro, ndërsa të ardhurat në kufi arritën vlerën prej 270 milionë euro. Në këtë periudhë edhe administrata tatimore ka shënuar efektshmëri mjaft të lartë. Komisioni konstatoi se Raporti është mjaft i mirë dhe se u përmbahet dispozitave ligjore , ndaj si të tillë edhe e përkrahu për procedim të mëtejmë në Kuvend.

Në vijim Komisioni shqyrtoi Raportin vjetor nr. 03/2645/ Ra-018 dt. 10.09.2009 të Auditimit të Zyrës së Auditorit të Përgjithshëm për vitin 2008. Prezantimin e këtij Raporti para Komisionit e bëri Auditori i Përgjithshëm i Kosovës, Lars Lage Olofsson, i cili theksoi se ky Raport është mjaft i ndryshëm nga vitet paraprake. Në raport flitet gjerësisht mbi procesin e auditivit, duke u dhënë edhe rekomandimet e nevojshme. Gjatë këtij procesi është konstatuar se ka mungesë të kontrollit të brendshëm, shihen disa defekte në regjistrat e kontabilitetit, prezantime të mangëta të vlerës së aseteve etj. Gjatë debatit që pasoi diskutuesit ishin të një mendimi se Raporti ishte mjaft i mirë, madje kishte edhe përgëzime për këtë punë të auditorit të përgjithshëm. Mirëpo, pasoi pastaj vërejtja e kryetarit të Komisionit, Gani Geci, se në Raport është thëne se Raporti financiar i RTK-së është i mirë, megjithëse ai nuk ishte përkrahur, as nga ky komision, as nga ana e Kuvendit të Kosovës. Madje, ishte kërkuar që ai të plotësohet, meqë nuk iu përmbahej kritereve sipas Ligjit mbi menaxhimin e financave publike, për t’ u dorëzuar pastaj sërish në procedurë normale në Kuvend. Por, i këtij mendim nuk ishte z. Olofsson, i cili mbronte mendimin se Raporti i RTK-së iu përmbahet kritereve të raportimit. Komisioni njëzëri përkrahu procedimin e mëtejmë të këtij Raporti në Kuvend , por pa pjesën ku flitet për RTK-në. Komisioni kërkon që Bordi i RTK-së të bëjë plotësimin Raportit Financiar, ashtu si është kërkuar, e pastaj të dorëzohet në Komision për shqyrtim.

Komisioni pastaj shqyrtoi Raportin nr. 03/2547/Do-1595 dt. 17.07.2009 të shpenzimeve të Kuvendit të Republikës së Kosovës për gjashtë mujorin e parë të viti 2009 dhe kërkesën buxhetore të Kuvendit të Republikës së Kosovës për vitin 2010, në bazë të qarkores së dytë buxhetore të MEF-it 2010/02, të cilat i prezantoi sekretari i Kuvendit të Kosovës, Ismet Krasniqi. Si Raporti , ashtu edhe kërkesa u përkrahën për procedim të mëtejmë.
Mbledhja e Komisionit për Buxhet dhe Financa