Lajmet e fundit

Kryeparlamentari Krasniqi priti raportuesen për Kosovën në Parlamentin Evropian, znj. Ulrike Lunacek

, 23.09.2009




Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, dr. Jakup Krasniqi, ka pritur në delegacion treanëtarësh të Parlamentit Evropian, të kryesuar nga znj. Ulrike Lunacek, raportuese për Kosovën në këtë parlament.

Në takim është biseduar për punën e legjislativit të vendit, me theks të veçantë për miratimin e legjislacionit në harmoni me atë të vendeve të BE-së, për zgjedhjet e sivjetme lokale në Kosovës, për kontrollin parlamentar të ekzekutivit të vendit dhe për bashkëpunimin ndërmjet Kuvendit të Kosovës dhe Parlamentit Evropian.

Kryeparlamentari Krasnqi u ka folur parlamentarëve evropian për punën e madhe të Kuvendit për garantimin e të drejtave dhe lirive të njeriut, për ligjet e miratuara për trashëgiminë kulturore të bashkësive etnike, ligjet për organizimin e pushtetit lokal dhe decentralizimin etj.

Kreu i Kuvendit të Kosovës ka kërkuar që Kosova të ndihmohet gjithanshëm nga Parlamenti Evropian, sidomos për sa i përket liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës dhe ndikimit për njohjen e vendit tonë nga pesë vendet e mbetura të BE-së. Ai e ka garantuar delegacionin parlamentar të BE-së për përkushtimin institucioneve, por edhe të qytetarëve të vendit për integrim në BE, prandaj ka kërkuar mbështetje më të fuqishme për Kosovën, si në planin politik, ashtu edhe në atë ekonomik, për ta mundur varfërinë dhe punësuar më shumë të rinj.

Deputetja e Parlamentit Evropian, Ulrike Lunacek, ka shfaqur kënaqësinë se është emëruar raportuese në Parlamentin Evropian për zhvillimet në Kosovë, problematikë kjo me të cilën është marrë për shumë vite edhe si deputete e Parlamentit të Austrisë. Ajo ka premtuar se do të jetë e pranishme dendur në Kosovë dhe se pos me institucionet e vendit tonë do të ketë kontakte edhe me shoqërinë civile dhe mediet.

Ajo ka thënë se i kupton çështjet teknike dhe politike, të cilat duhet t’i përmbushë Kosova në rrugën e gjatë të integrimeve evropiane, por se është shprehur hapur se parapëlqen që edhe të rinjtë nga Kosova, Shqipëria dhe Bosnjë e Hercegovina të udhëtojnë lirshëm nëpër vendet e BE-së, për tu shkolluar por edhe për të parë se si jetohet atje dhe si komunikojnë kulturat e ndryshme.

Europarlamentarja Lunacek ka premtuar bashkëpunim të mirë me Kuvendin e Kosovës, kontakte më të shpeshta të anëtarëve të komisioneve parlamentare dhe këshilla të mira për ngritjen e kapaciteteve të legjislativit të Kosovës për kontroll më efikas të Qeverisë.
Kryeparlamentari Krasniqi priti raportuesen për Kosovën në Parlamentin Evropian, znj. Ulrike Lunacek