Lajmet e fundit

Nga mbledhja e Komisionit për Ekonomi...

, 29.09.2009




Komisioni për Ekonomi, Tregti, Industri, Energjetikë dhe Telekomunikacion mbajti sot mbledhje, të cilën e kryesoi nënkryetari i parë i Komisionit, z. Ethem Çeku. Kjo mbledhje pikë të rendit të ditës pati situatën aktuale në kombinatin “Trepça”.

Në këtë mbledhje, krahas anëtarëve të Komisionit, ishin të pranishëm përfaqësuesit e Ministrisë për Energji dhe Minierave, në krye me ministren Justina Shiroka–Pula dhe me përfaqësuesit e ICO-së, NDI-së dhe të KDI-së.

Edhe pse në këtë mbledhje të Komisionit, pikë kryesore e rendit të ditës ishte parashikuar, situata aktuale në kombinatin “Trepça”, për shkak se nuk erdhi asnjë përfaqësues i kombinatit “Trepça” dhe për shkak se nuk kishin arritur materialet për situatën aktuale në këtë kombinat, kjo pikë e rendit të ditës u shty për më vonë. Në këtë mbledhje të Komisionit ministrja Pula e mori fjalën dhe tha se Ministria që e udhëheq ajo e ka përgatitur strategjinë e veprimtarisë për kombinatin “Trepça”, e cila duhet tërësisht të shqyrtohet edhe një herë në organet kompetente para se të fillojë zbatimi i saj.

Në këtë mbledhje Komisioni e shqyrtoi edhe bazën ligjore të përgatitur nga personeli i Kuvendit të Kosovës për shqyrtimin e vendimit të Qeverisë së Republikës së Kosovës për anëtarët e Bordit të Hekurudhave të Kosovës. U vendos që Kryesisë së Kuvendit të Republikës së Kosovës t’i bëhet me dije se anëtarët e propozuar nga Qeverisa e Republikës së Kosovës nuk i plotësojnë kushtet të zgjidhen në Bordin e Hekurudhave të Kosovës.
Nga mbledhja e Komisionit për Ekonomi...