Lajmet e fundit

Nga vizita e kryeparlamentarit Krasniqi në Finlandë

, 29.09.2009




Qeveria, Parlamenti dhe populli i Finlandës, që kane mbështetur fuqimisht pavarësinë e Kosovës, edhe në të ardhmën do të mbështesin institucionet e Kosovës në ndërtimin e shtetit demokratik sipas standardeve evropiane. Kjo u rikonfrmua në takimet që pati delegacioni i Kuvendit të Republikës së Kosovës, i udhëhequr nga kryetari Jakup Krasniqi me kryeministrin dhe nënkryetarin e Parlamentit të Finlandës gjatë vizitës zyrtare në Helsinki. Delegacioni i Parlamentit të Republikës së Kosovës, i prirë nga kryetari Jakup Krasniqi, në përbërje të të cilit janë edhe anëtaret e Kryesisë, Xhavit Haliti e Ibrahim Gashi dhe këshilltarët e kryetarit, Ismet Hajrullahu e Skender Recica, të cilët po qëndrojnë në vizitë zyrtare triditëshe në këtë vend mik me ftesë të kreut të Parlamentit finlandez, ditën e parë u takuan me kryeministrin e Finlandës, Matti Vanhanen dhe me zëvendëskryetarin e Parlamentit, Seppo Keriainen.

Gjatë takimit me ta, kryetari i Parlamentit të Republikës së Kosovës, Jakup Krasniqi, informoi lidhur me zhvillimet aktuale në vend dhe falënderoi për mbështetjen e deritashme të parezervë të Finlandës gjatë procesit për jetësimin e pavarësisë së Kosovës dhe në ndërtimin e shtetit më të ri demokratik në botë. Në këtë kuadër, Krasniqi potencoi mirënjohjen për kontributin e shquar, pa ekuivoke, të politikanit, diplomatit dhe humanistit, Martti Ahtisaari.

Po ashtu, ai çmoi lart, edhe kontributin e dhënë në sigurinë nga trupat finlandeze në KFOR, si dhe policëve në kuadër të policisë së EULEKS-it, si dhe të gjykatësve dhe prokuroreve në sistemin gjyqësisë të Kosovës. Njëherësh, Jakup Krasniqi falënderoi për ndihmën finlandeze në zhvillimin ekonomik të Kosovës, forcimin e institucioneve shtetërore dhe në fushën e të drejtave të njeriut.

Është vitale për zhvillimin ekonomik të Kosovës, thithja e investimeve të huaja, pra edhe të atyre finlandeze, në mënyrë të veçantë në zhvillimin teknologjik, atë të përpunimit të drurit, ujerave, dhe zhvillimit të industrisë së pastrimit dhe mbrojtjes së ambientit, prej nga Kosova mund të përfitojë shumë. Për këtë qëllim, Kosova ka një legjislacion që lehtëson investimet e huaja nga pikëpamja ligjore, si dhe një sistem bankar i prezantuar nga Banka Qendrore e Kosovës dhe katër banka private të huaja, të cilat veprojnë prej një kohe të gjatë dhe kontribuojnë në zhvillimin e sektorit financiar dhe zhvillimit të biznesit të vendit përmes sistemit te kredive, tha kryeparlamentari Krasniqi.

Ai përmendi edhe eksperiencën dhe mbështetjen finlandeze në zhvillimin e arsimit profesional në Kosovë, e cila do të ishte një kontribut i rëndësishëm në edukimin e të rinjve tanë dhe ofrimin e perspektivave të punësimit, e gjithashtu do të kontribuonte në ritrajnimin e forcës aktuale të punës. Kjo jo vetëm do lehtësonte përmbushjen e nevojave te individëve dhe të Kosovës, por do të lehtësojë integrimin e krahut të punës së Kosovës në tregun evropian të punës, gjë që përkon dhe me kërkesën e Traktatit të Lisbonës për integrimin dhe unifikimin e tregut dhe krahut të punës, ka theksuar Kransiqi. Kjo lehtëson padyshim procesin e integrimit të Kosovës në BE në mënyrë harmonike dhe të gjithanshme.

Meqë Kosova tanimë është anëtarësuar në Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe në Bankën Botërore, Jakup Krasniqi, kërkoi nga kryeministri finlandez që të ndihmojë vendin tonë për t’u anëtarësuar edhe në Bankën Evropiane për Zhvillim dhe Rindërtim.

Gjatë këtij takimi të përzemërt e miqësor, Jakup Krasniqi kërkoi mbështetjen e mëtejshme të Qeverise dhe institucioneve finlandeze në fushën diplomatike, për të realizuar mbështetjen për njohje të reja të pavarësisë së Kosovës edhe nga vendet e tjera, por në mënyrë të veçantë kërkoi përkrahje për të lobuar ndaj shteteve anëtare te BE-se, të cilat ende nuk e kanë njohur Kosovën.

Edhe kryeministri Vanhanen vlerësoi pozitivisht të gjitha arritjet e deritashme të institucioneve dhe të popullit të vendit tonë në përpjekjet për t’u integruar në familjen evropiane. Ai shprehu gatishmërinë për të mbështetur kërkesat e kryeparlamentarit Krasniqi për bashkëpunim të ngushte në të gjitha fushat, sidomos për të nxitur investimet finlandeze në Kosovë.

Delegacioni nga Kosova u takua edhe me zëvendëskryetarin e parë të Parlamentit te Finlandës, Seppo Kääriäinen. Edhe me këtë rast, Jakup Krasniqi falënderoi Parlamentin finlandez për mbështetjen politike të Kosovës.

Ai e informoi atë rreth veprimtarisë së suksesshme të Parlamentit të Kosovës pas shpalljes së pavarësisë, duke përmendur miratimin e 118 ligjeve, nga të cilat 52 janë nga Pakoja gjithëpërfshirëse e Martti Ahtisaarit .Në këtë kuadër, Krasniqi theksoi harmonizimin e të gjitha ligjeve të Republikës së Kosovës, të cilat i nënshtrohen standardizimit formalo- juridik si dhe përafrimit me legjislacionin e BE-së përmes Agjencionit për Koordinim, Zhvillim dhe Integrime Evropiane, si dhe Zyrës Ligjore të Kuvendit të Republikës së Kosovës.

Zëvendeskryetari i parlamentit te Finlandez, Seppo, shprehu gatishmërinë për zgjerimin e mëtejmë të bashkëpunimit midis dy vendeve e dy parlamenteve tona.

Gjatë qëndrimit në Helsinki, Jakup Krasniqi me bashkëpunëtorë do të kenë edhe shumë takime të tjera zyrtare. Të enjten, ata do të takohen me ish-presidentin finlandez e udhëheqës i ekipit negociator ndërkombëtar për statusin politik të Kosovës, Martti Ahtisaarin dhe me kryetarin e Parlamentit të këtij vendi mik, Sauli Ninisto.
Nga vizita e kryeparlamentarit Krasniqi në Finlandë