Lajmet e fundit

Kryeparlamentari, dr. Jakup Krasniqi, vazhdon vizitën në Finlandë

, 30.09.2009




Pas takimeve që zhvilloi dje pasdite dhe mbrëmë me sekretarin shtetëror të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Finlandës, Petti Torstila dhe me shefin e delegacionit finlandez në Asamblenë e OSB-së, Ilkka Kanerva, delegacioni i Kuvendit të Republikës së Kosovës, i prirë nga kryeparlamentari , dr. Jakup Krasniqi, i shoqëruar edhe nga anëtarët e Kryesisë, Xhavit Haliti e Ibrahim Gashi, si dhe këshilltarët e kryetarit Ismet Hajrullahu e Skënder Recica, ditën e dytë të qëndrimit në Helsinki, vizituan kompanitë më të mëdha të kryeqytetit të Finlandës, koorporatën për prodhimin e ashensorëve “KONE” dhe kompaninë e ujit “Helsinki Water”.

Me këtë rast, pas vizitave reparteve prodhuese të këtyre kompanive, anëtarët e delegacionit të Kosovës u informuan lidhur me veprimtarinë e deritashme të tyre dhe me vizionin e zhvillimit gjatë periudhës së ardhshme.

Korporata “KONE”, është ndër 4 prodhuesit më të mëdhenj e më cilësorë të ashensorëve në mbarë botën. Ajo ka mbi 34 mijë të punësuar dhe me një traditë 100 vjeçare pune, me veprimtari të shtrirë në më se 40 vende të botës, me të hyra prej 4 miliard e 603 milionë euro. Drejtuesit e korporatës “KONE” shprehën interesimin e veçantë për të depërtuar edhe në tregun e Kosovës, për çka udhëheqësi i delegacionit të Kosovës, Jakup Krasniqi e mirëpriti këtë dhe shprehu gatishmërinë, që në harmoni me kushtet e ekonomisë së tregut, të jepet rasti që edhe objektet e reja të pajisen me ashensorë modern finlandezë.

Pasdite, kryeparlamentari Krasniqi me bashkëpunëtorë u takua edhe me disa veprimtarë të shoqatës kulturore “Kosova” që vepron në Helsinki, me ç’rast i informoi ata me zhvillimet aktuale në vend dhe me përpjekjet e institucioneve të Kosovës për funksionalizimin e shtetit ligjor, të mekanizmave kushtetues për jetësimin e shtetit demokratik. Ilir Avdiu ,kryetar i shoqatës “Kosova” dhe veprimtarë të tjerë vlerësuan lart ndryshimet pozitive në Kosovë dhe shprehën gatishmërinë e tyre për të mbështetur edhe më tej Kosovën në mënyra të ndryshme.

Nesër, delegacioni nga Kosova do të zhvillojë takime edhe me anëtarët e Komisionit Kushtetues e Legjislacion, të atij për Politikë të Jashtme, si dhe do të ketë një takim të veçantë me ish-presidentin finlandez e ish-kryenegociatorin ndërkombëtar për statusin e Kosoves, Martti Ahtisaarin dhe me kryetarin e Parlamentit të Finlandës, Sauli Ninisto, me ftesë të të cilit edhe po e viziton këtë vend mik.
Kryeparlamentari, dr. Jakup Krasniqi, vazhdon vizitën në Finlandë