Lajmet e fundit

Delegacioni i Kuvendit të Kosovës i kryesuar nga kryeparlamentari Krasniqi kthehet nga vizita në Finlandë

, 02.10.2009




Delegacioni i Kuvendit të Republikës së Kosovës , i kryesuar nga kryeparlamentari , Jakup Krasniqi, u kthye sot nga vizita në Finlandë. Në kuadër të këtij delegacioni ishin edhe anëtarët e Kryesisë, Xhavit Haliti dhe Ibrahim Gashi, si dhe këshilltari për protokoll dhe marrëdhënie ndërkombëtare, Skënder Reçica dhe këshilltari për marrëdhënie me publikun i kryetarit, Ismet Hajrullahu.

Pas arritjes në Aeroportin e Prishtinës, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi theksoi se gjatë kësaj vizite , e cila u bë me ftesë të kryetarit të Parlamentit të Finlandës , Sauli Ninisto, delegacioni i Kuvendit të Kosovës pati takime të frytshme me kryeparlamentarin finlandez, Ninisto, kryeministrin e Finlandës, Matti Vanhanen, kryenegociatorin për statusin e Kosovës, Martti Ahtisaari, i cili pareshtur angazhohet për njohje të reja nga shtetet e ndryshme të botës të pavarësisë së Kosovës, zëvendëskryetarin e Parlamentit Seppo Keriainen dhe me drejtuesit e komisioneve parlamentare për Politikë të Jashtme dhe Legjislacion e Kushtetutë. “Edhe me këtë rast nga udhëheqja e shtetit mik , Finlandës,u morën zotime për thellimin e bashkëpunimit të mëtejmë ndërmjet parlamenteve dhe institucioneve të tjera të dy vendeve. Për gjithë këtë kontribut që ka dhenë e po jep Finlanda për zhvillimin e proceseve të gjithëmbarshme, për gatishmërinë e këtij vendi për të ndihmuar Kosovën edhe në fusha të tjera , kemi shprehur mirënjohje të thellë ndaj Parlamentit dhe shtetit finlandez. Ne kemi nevojë për bashkëpunim të mëtejmë me të gjitha parlamentet evropiane për të përfituar nga përvojat e tyre drejt integrimit në Bashkimin Evropian”, theksoi kryeparlamentari Krasniqi.
Delegacioni i Kuvendit të Kosovës i kryesuar nga kryeparlamentari Krasniqi  kthehet nga vizita në Finlandë