Lajmet e fundit

Fjalë e kryetarit Krasniqi, në seancën solemne të Kuvendit të Kosovës, me rastin e vizitës së kryeministrit të Shqipërisë , Sali Berisha

, 06.10.2009




I nderuar president, zoti Fatmir Sejdiu,
I nderuar kryeministër, zoti Hashim Thaçi,
I nderuar zoti Feit,
Të nderuar ministra,
Të nderuar deputetë,
Të nderuar përfaqësues diplomatikë dhe të ftuar,
Zonja dhe zotërinj

Kuvendi i Kosovës ka nderin ta ketë sot mysafir kryeministrin e Republikës së Shqipërisë, zotin Sali Berisha, të cilin e përshëndes në emrin tuaj dhe timin, duke i uruar mirëseardhje në Republikën e Kosovës e në këtë seancë solemne parlamentare.

Zoti Kryeministër i Shqipërisë, ju faleminderit shumë për praninë tuaj në këtë sallë dhe për fjalën me të cilën do t’i drejtoheni Kuvendit tonë. Vizita Juaj përbën eveniment për Kosovën, por edhe rast të mirë për t’u informuar drejtpërdrejt me ndryshimet e mëdha pozitive që vendi ynë ka bërë gjatë kësaj kohe të shkurtër pas shpalljes së pavarësisë.

Pavarësia e Kosovës, tashmë e njohur nga 62 vende anëtare të OKB, po mbështetet gjerësisht nga bashkësia ndërkombëtare. Ne presim njohje të reja dhe hyrjen e Kosovës në familjen e madhe të Kombeve të Bashkuara. Në partneritet ndërkombëtar, ne po ndërtojmë shtetin e ri me një rend kushtetues të demokracisë moderne, me një shoqëri të lirë e sovrane dhe në barazi të plotë për të gjithë qytetarët, pa asnjë dallim. Kosova është kthyer në një faktor paqeje e stabiliteti në rajon.

Pavarësia e Kosovës ishte kurorëzim i përpjekjeve të gjata dhe të dhembshme të popullit të saj, por edhe i një solidariteti të gjerë ndërkombëtar me të drejtën e tij legjitime, për të qenë i lirë dhe sovran i fatit të vet.

Shqipëria ka qenë mbështetëse e Kosovës në luftën e saj të gjatë për liri dhe pavarësi, kurse në momente të caktuara historike, veçanërisht të rënda, ajo kishte rolin përcaktues të ruajtjes së identitetit por edhe të ekzistencës fizike të shqiptarëve jashtë kufijve të saj.

Unë dua ta shfrytëzoj edhe këtë rast që më jepet për t’ju shprehur Juve dhe gjithë Shqipërisë mirënjohjen e thellë, në emër të Kuvendit të Kosovës, të qytetarëve dhe timin personalisht për gjithë çfarë keni bërë për Kosovën e për qytetarët e saj.

Epoka në të cilën kemi hyrë, u ka hapur rrugë dhe perspektivë të shkëlqyer marrëdhënieve midis Shqipërisë e Kosovës si dhe integrimeve rajonale e euroatlantike të tyre. Rruga e re dhe moderne, që lidh Shqipërinë dhe Kosovën, për të cilën Ju zoti kryeministër keni meritë të veçantë, përbën jo vetëm një kusht shumë të rëndësishëm të lëvizjes së lirë të mallrave e qytetarëve dhe të zhvillimit ekonomik të të dy vendeve tona, por edhe një arterie të ardhshme ndërkombëtare që do t’i kontribuojë marrëdhënieve rajonale.

Zoti kryeministër Berisha, duke ju falënderuar edhe njëherë, kam kënaqësinë t'ju ftoj t’i drejtoheni me një fjalë Kuvendit të Republikës së Kosovës.