Lajmet e fundit

Mbledhja e Komisionit për Buxhet dhe Financa

, 07.10.2009




Në mbledhjen e sotme të Komisionit për Buxhet dhe Financa të Kuvendit të Kosovës, e cila u kryesua nga Armend Zemaj, anëtar i këtij komisioni, u shqyrtua Raporti i punës i Agjencisë Kosovare të Privatizimit për periudhën gusht 2008 – gusht 2009. Kryetari i Bordit të drejtorëve të AKP-së, Dino Asanaj dhe zyrtarë të tjerë, raportuan para Komisionit dhe iu përgjigjën pyetjeve të anëtarëve të tij. Duke paraqitur raportin e punës, Asanaj tha se raporti paraqet punën njëvjeçare të kësaj agjencie, rekomandimet dhe strategjinë se si mund të vazhdohet me privatizimin. Anëtarët e Komisionit, duke përkrahur raportin, kërkuan sqarime nga kryetari i Bordit të drejtorëve të AKP-së rreth mjeteve të Agjencisë Kosovare të Mirëbesimit, 20 përqindëshit të punëtorëve, uzurpimit të pronave shoqërore etj. Zyrtarët e AKP-së thanë se sa i përket kthimit të mjeteve të privatizimit, përkundër kërkesës, ende nuk është marrë ndonjë përgjigje nga Banka Qendrore. Rreth 20 për qindëshit të punëtorëve, u tha se tashmë kjo mbetet lëndë në Odën e Veçantë të Gjykatës Supreme të Kosovës. U kërkua që Kuvendi t’i drejtohet Gjykatës Supreme, në mënyrë që të bëhet presion mbi Odën e Veçantë. Rekomandohet përshpejtimi i nxjerrjes së ligjit për Odën e Veçantë dhe legjislacionit tjetër përcjellës. Në këtë mbledhje, u miratua Raporti financiar i Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës të Kosovës për vitin 2008, nr. 03/2686/Ra-016/2, i datës 18. 09. 2009. Gjithashtu, u miratuan propozim-amandamentet e grupit punues të Komisionit për Buxhet dhe Financa, për projektligjin nr. 03/ L-146 për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar.
Mbledhja e Komisionit për Buxhet dhe Financa