Lajmet e fundit

Kryeparlamentari Krasniqi priti ambasadorin hungarez, Imecs

, 08.10.2009




Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, dr. Jakup Krasniqi, ka pritur ambasadorin hungarez në Prishtinë, Zoltan Imecs dhe ka biseduar me të për thellimin e mëtejmë të bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve, sidomos ndërmjet dy parlamenteve.

Ambasadori hungarez në Prishtinë, Zoltan Imecs, i cili i kishte sjellë kryeparlamentarit Krasniqi ftesën e kryetarit të Parlamentit të Hungarisë . dr.Bela Katona, për një vizitë zyrtare në Budapest.

Në letrën e kryeparlamentarit hungarez Katana thuhet: “I zgjedhur si kryetar i ri i Kuvendit Kombëtarë Hungarez, do të dëshiroja të ju siguroj Shkëlqesia Juaj, se unë do të vazhdoj të i kushtoj vëmendje dhe kujdes të veçantë bashkëpunimit me shtetet e Ballkanit Perëndimor. Besoj dhe shpresoj që kjo vizitë të realizohet sa me shpejt në një të ardhme të afërt”.

Ambasadori Imecs është shprehur se vendi i tij është i bindur për të ardhmen e Kosovës në Bashkimin Evropian. Kjo ka thënë ambasadori Imecs, ishte përfundim edhe i një takimi i përbashkët në Budapest ndërmjet ministrave të jashtëm të Hungarisë, Çekisë, Sllovakisë dhe Polonisë (Grupi i Visegradit), takim ky që i dedikohej Ballkanit Perëndimor. Grupi i Visegradit, është shprehur diplomati hungarez ka bindjen e thellë qe, Kosova si pjese e regjionit, gjithashtu është pjese e perspektives Evropiane. Ai, ndërkaq, ka thënë se Hungaria do ta mbështesë në vazhdimësi shtetin e Kosovës.

Imecs ka theksuar edhe interesin e ndërmarrjeve të njohura hungareze për të investuar në ekonominë e Kosovës, si në energjetikë, në komplekse industriale dhe bujqësore, etj, si dhe për të marrë pjesë në privatizimin e PTK-së. Ai është shprehur i bindur se vizita e ardhshme e kryeparlamentarit Krasniqi në Hungari vetëm sa do ta nxisë edhe më tepër bashkëpunimin e ndërsjellë dhe realizimin e shumë projekteve ekonomike. Imecs ka shfaqur shpresën se zgjedhjet lokale të nëntorit në Kosovë do të jenë të lira, demokratike dhe me standarde evropiane.

Kryeparlamentari Krasniqi e ka falënderuar shtetin dhe popullin e Hungarisë për mbështetjen e vazhdueshme për Kosovën dhe është shprehur i bindur se këmbimi i vizitave të bartësve të institucioneve të të dy vendeve vetëm sa do ta forcojë miqësinë historike ndërmjet dy popujve tanë.

Krasniqi ka vënë në pah domosdoshmërinë e zhvillimit të përshpejtuar ekonomik të vendit, duke theksuar se Hungaria ka mundësi ta mbështesë Kosovën për realizimin e këtij objektivi. Ai ka pohuar se pret investime hungareze në shumë degë ekonomike të Kosovës, duke i vlerësuar lart sidomos përvojat e Hungarisë në ngritjen e komplekseve agroindustriale.

Kreu i Kuvendit të Kosovës ka theksuar se për vendin tonë janë shumë të rëndësishme përvojat demokratike të Hungarisë. Krasniqi ka kërkuar mbështetjen e Hungarisë për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës nga vendet e BE-së. Ai, ndërkaq, e ka garantuar diplomatin hungarez se zgjedhjet e 15 nëntorit do të jenë me standarde edhe më të larta se sa zgjedhjet e deritashme të mbajtura në Kosovë.
Kryeparlamentari Krasniqi priti ambasadorin hungarez, Imecs