Lajmet e fundit
Mbledhja e Komisionit për Punë të Brendshme dhe Siguri
, 09.10.2009
Komisioni për Punë të Brendshme dhe Siguri i Kuvendit të Kosovës, kryesuar nga Rrustem Mustafa, kryetar i Komisionit, në mbledhjen e sotme ka shqyrtuar raportin e Ministrisë së Punëve të Brendshme rreth gjendjes veri të Kosovës. Nga anëtarë të komisionit u theksua si shqetësim fakti se komandantët policorë në veri të Mitrovicës vazhdojnë t’i raportojnë vetëm EULEX-it, ndërsa Policia e Kosovës vetëm njoftohet. U shfaqën mendime që të merren masa ndaj pjesëtarëve të Policisë së Kosovës, të cilët nuk e respektojnë zinxhirin komandues të saj.
Në këtë mbledhje të Komisionit u vendos unanimisht që Kuvendit të Kosovës t’i rekomandohet për shqyrtim projekt-strategjia kundër korrupsionit për periudhën 2009-2011.
Njoftimet e mediave për vendosjen e tabelave kufitare nga ana e autoriteteve të Malit të Zi brenda territorit të Kosovës, ishte një çështje tjetër që u diskutua në këtë mbledhje. Këto njoftime u cilësuan si shqetësuese, ndërsa u vendos që t’i dërgohet pyetje për sqarim organeve kompetente rreth këtij rasti.
Anëtarë të komisionit e ngritën si shqetësim edhe çështjen e pagave të ulëta të pjesëtarëve të Policisë së Kosovës.