Lajmet e fundit

Debat publik për identifikimin e mbetjeve mortore dhe zbardhjen e fatit të personave të pagjetur

, 07.10.2009




Deri në ditën e sotme janë identifikuar gjithsej 1.938 mbetje mortore, por ende nuk është zbardhur fati i të gjithë personave të pagjetur. Për këtë shkak të afërmit e tyre me të drejtë presin që sa më parë të zbardhen këto raste dhe të dinë për fatin e tyre. “Njëherësh zbardhja e fatit të personave të pagjetur dhe identifikimi i mbetjeve mortore duhet të sensibilizohet për opinionin dhe për institucionet vendore dhe ato ndërkombëtare”, - u tha në debatin publik që e organizoi Komisioni për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore Persona të Pagjetur dhe Peticione, kryesuar nga Ismet Beqiri, kryetar i Komisionit.

Në këtë debat publik, së bashku me anëtarët e Komisionit, morën pjesë edhe përfaqësuesit e ICO-s, të OMPF/ELEX-it, të UNMIK-ut, të OSBE-së, të KDI-së, përfaqësuesit e Komisionit Qeveritar për Personat e Pagjetur, përfaqësuesit e Kryqit të Kuq Ndërkombëtar, të NDI-së, të KRTC-së, të ICRS-së, të ICMP-së dhe përfaqësuesit e Komisionit për Mbrojtjen e të drejtave të Njeriut, të Komisionit për Mbrojtjen e të Drejtave të Femrës, të OHCHR-it, të HKAFZMK-ut dhe të OJQ-ve, që merren me fatin e personave të pagjetur.

Në këtë debat publik, pos tjerash, u tha se aktualisht në kontejnerët e Institutit të Mjekësisë Ligjore në Prishtinë janë edhe rreth 400 mbetje mortore të paidentifikuara. Problem është se për identifikimin e mbetjeve mortore në Kosovë nuk ka laborator për e identifikimin nëpërmjet metodës së ADN-së, dhe nuk ka ekspertë të lëmit të patologjisë dhe të antropologjisë të cilët do të punonin në zbardhjen e këtyre rasteve në bazë të mbetjeve mortore.

Krahas problemit të identifikimit të mbetjeve mortore është edhe problemi i mosbashkëpunimit ndërmjet organizatave dhe institucioneve ndërkombëtare dhe të atyre vendore që merren me këtë çështje. Problem të veçantë paraqet fakti se nuk ekziston baza e të dhënave për të gjithë personat e pagjetur në tërë territorin e Kosovës.

Në fund të këtij debati të gjithë pjesëmarrësit u pajtuan që Qeveria e Kosovës sa më parë ta hartojë projektligjin për personat e pagjetur, i cili do ta rregullonte statusin e kësaj kategorie dhe njëherësh do t’i ndihmonte të afërmit e tyre t’i rregullonin disa çështje juridike.
Debat publik për identifikimin e mbetjeve mortore dhe zbardhjen e fatit të personave të pagjetur