Lajmet e fundit

Nga punimet e seancës plenare të Kuvendit të Kosovës

, 12.10.2009




Kuvendit i Republikës së Kosovës në seancën e sotme, të drejtuar nga Dr. Jakup Krasniqi, kryetar i Kuvendit (një pjesë të saj e ka drejtuar anëtari i kryesisë, Sabri Hamiti), pasi e ka shterë pikën e zakonshme të rendit të ditës- koha për pyetje parlamentare - ka shqyrtuar për herë të parë Projektligjin për masat doganore për mbrojtjen e të drejtave të pronësisë intelektuale, të prezantuar nga Ministri i Ekonomisë dhe Financave, Ahmet Shala, të cilën edhe e ka miratuar në parim. Kështu deputetët, ndërkaq, nuk kanë vepruar me Projektligjin për Organizimin Sindikal, të prezantuar nga Ministri për Punë dhe Mirëqenie Sociale, Nenad Rashiq. Ata me shumicë votash kanë votuar për ta shtyrë miratimin e këtij projektligji, me kërkesën që ai duhet të vijë në Kuvend në pako me Projektligjin e Punës.


Deputetët në vazhdim, duke e shqyrtuar Raportin vjetor i Bankës Qendrore të Kosovës, nuk kanë pranuar që atë ta paraqesë Ministri Shala, duke vlerësuar se këtë duhej ta bënte guvernatori i bankës Qendrore të Kosovës, Hashim Rexhepi. Kryeparlamentari Krasniqi disa herë ua ka përsëritur deputetëve se Kryesia nuk e ka paraparë të nevojshme paraqitjen para deputetëve të vetë z. Rexhepi, por vetëm të Raportit të tij për gjendjen financiare në Kosovë. Pas një debati të gjerë të deputetëve dhe kritikave të shprehura në llogari të Bankës Qendrore të Kosovës deputetët (me shumicë votash) e kanë miratuar këtë raport bashkë me rekomandimet e Komisionit Parlamentar për Buxhet dhe Financa.

Seanca pastaj është marrë me Projekt-strategjinë kundër korrupsionit, të prezantuar para deputetëve nga zëvendëskryeministri Ramë Manaj. Ai ka shpalosur vijat kryesore të kësaj projekt-strategjie, të hartuar nga Agjencia Kosovare ei Antikorrupcionit dhe adoptuar nga Qeveria e Kosovës. Ka pasur një debat të nxehtë në këtë temë ndërmjet deputetëve nga radhët e opozitës, të cilët në të shumtën e rasteve e kanë kritikuar dokumentin dhe Qeverinë e Kosovës dhe deputetëve të pozitës, të cilët e kanë lavdëruar dhe mbrojtur këtë projektstrategji.

Debat i nxehtë është zhvilluar edhe për gjendjen tregtare ne vend dhe raportet tregtaret Kosovës me shtetet tjera. Në emër të Grupit Parlamentar të LDD-së, i cili e ka kërkuar debatin në këtë temë, fjalën hyrëse për ta arsyetuar shqetësimin e ngritur, e ka paraqitur deputeti Lulzim Zeneli, qëndrimin e Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë e ka paraqitur, ndërkaq ministri, Lutfi Zharku. Ai ka folur për bilancin negativ tregtar të Kosovës, importin e pakt dhe ekstensiv të Kosovës dhe për importet në rritje të Kosovës, por ka theksuar gjithashtu politikat e ministrisë, të cilën e udhëheq për ta shtuar eksportin e Kosovës dhe përmirësuar bilancin tregtar.

Tri pikat e mbetura të rendit të ditës do të shqyrtohen në vazhdimin e seancës nesër, duke filluar në orën 10:00.
Nga punimet e seancës plenare të Kuvendit të Kosovës