Lajmet e fundit

Deputetë nga Grupi i Miqësisë Kosovë-Gjermani takuan një delegacion të Bundestagut Gjerman

, 13.10.2009




Një grup i deputetëve të Kosovës, kanë pritur sot një delegacion të Bundestagut Gjerman. Grupi i deputetëve të Kuvendit të Kosovës, që përbëjnë grupin parlamentar të miqësisë me Bundestagun Gjerman, kryesohej nga deputeti,z. Arsim Rexhepi, ndërsa delegacioni gjerman kryesohej nga z. Helmut Lamp. Në fillim, z. Arsim Rexhepi ka falënderuar delegacionin gjerman për vizitën në Kosovë dhe për mbështetjen e shtetit gjerman dhënë Kosovës.

Z. Helmut Lamp ka njoftuar grupin miqësor të Kosovës, për pjesëmarrjen e 28 shteteve të botës në organizimin e praktikës në Bundestagun Gjerman, ku pjesëmarrëse do të jetë edhe Kosova me dy kandidatë. Z. Lamp ka shtuar se kjo është një mundësi e mirë për të krijuar një bashkëpunim më të thellë me Kosovën. Ai në vazhdim njoftoi hollësisht Grupin e Miqësisë rreth përzgjedhjes së kandidatëve nga Kosova.

Deputetët e Kuvendit të Kosovës shfaqën dëshirën për të organizuar një vizitë në Bundestagun Gjerman, duke theksuar se ky grup miqësie mund të përfitojë përvoja në shumë fusha të zhvillimit të gjithëmbarshëm të vendit, si dhe në thellimin e bashkëpunimit të mëtejmë ndërmjet dy vendeve.
Deputetë nga Grupi i Miqësisë Kosovë-Gjermani takuan një delegacion të Bundestagut Gjerman