Lajmet e fundit

Nga punimet e seancës plenare të Kuvendit të Kosovës

, 13.10.2009




Kuvendi i Republikës së Kosovës në seancën e sotme të kryesuar nga Jakup Krasniqi, kryetar i Kuvendit, e ka shqyrtuar Raportin gjashtëmujor të buxhetit të Republikës së Kosovës për periudhën janar – qershor 2009. Duke e prezantuar këtë raport ministri i Ekonomisë dhe Financave, Ahmet Shala, theksoi se gjatë gjashtëmujorit të parë të këtij viti ka pasur rritje në të gjitha nivelet e të hyrave, në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar. Gjithashtu, ai ka thënë se edhe shpenzimet kapitale kanë qenë më të mëdha. Ministri Shala ka bërë të ditur se plani buxhetor i të hyrave buxhetore është 956 milionë euro, ndërkaq vetëm në gjashtëmujorin e parë kanë qenë 420 milionë euro, që paraqesin 43.9 për qind të të hyrave, përderisa, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar ka një rritje prej 3 për qind. Raportin e ka mbështetur Komisioni për Buxhet dhe Financa në emër të të cilit ka folur deputeti Gani Koci. Në seancë deputetët kanë shprehur mendime të ndryshme rreth këtij raporti.

Deputetë të opozitës kanë konsideruar se ka shpenzime të mëdha në mallra dhe shërbime, gjë e cila është mohuar nga deputetë të pozitës, të cilët kanë vlerësuar se me gjithë krijimin e institucioneve të reja, shpenzimet janë shumë më të vogla se sa në vitin 2007.

Deputetët në vijim kanë debatuar edhe për Rekomandimin e Komisionit për Buxhet dhe Financa lidhur me Raportin e shpenzimeve të Kuvendit të Kosovës për gjashtëmujorin e parë të vitit 2009, pikë kjo e cila u debatua njëherësh me Raportin gjashtëmujor të buxhetit të Republikës së Kosovës për periudhën janar – qershor 2009. Pas debatit deputetët aprovuan këto dy raporte.

Seanca pastaj vazhdoi me debatin lidhur me Raportin Vjetor të Auditimit të Zyrës së Auditorit të Përgjithshëm për vitin 2008. Në diskutimet e shumta Raporti u përkrah, duke theksuar se rekomandimet e këtij Raporti duhet të merren para sysh nga agjensionet buxhetore. Në përfundim të debatit, kur pritej të votohej Raporti, u pa se mungon kuorumi i nevojshëm, ndaj votimi për këtë Raport do të bëhet në seancën e radhës.
Nga punimet e seancës plenare të Kuvendit të Kosovës