Lajmet e fundit

Kryeparlamentari Krasniqi priti delegacionin parlamentar të Mbretërisë së Bashkuar

, 14.10.2009




Kryetari i Kuvendi të Kosovës, Jakup Krasniqi, i shoqëruar nga Sabri Hamiti, kryetar i Komisionit për Punë të Jashtme dhe Ibrahim Gashi, anëtar i këtij komisioni, kishte sot një takim me një delegacion parlamentar të Mbretërisë së Bashkuar nga Komisioni për Marrëdhënie me Jashtë, në përbërje të të cilit ishin : Sir John Stanley nga Partia Konservative dhe Fabian Hamilton e Ken Purchase nga Partia Laburiste. Delegacioni shoqërohej nga ambasadori Mbretërisë së Bashkuar në Prishtinë, Andy Sparkes. Duke i uruar mirëseardhje këtij delegacioni, kryeparlamentari Krasniqi njëkohësisht shprehu falënderimet e tij për pritjen që iu bë me rastin e vizitës së tij në Parlamentin e Mbretërisë së Bashkuar. Në këtë vështrim ai tha se duke qenë se Kuvendi i Kosovës është parlamenti më i ri në botë, ai bën përpjekje për të përfituar nga përvojat perëndimore në fushën legjislative. Në vijim kryeparlamentari Krasniqi e njoftoi delegacionin për punën e Kuvendit të Kosovës, si dhe për përbërjen e Kuvendit të Kosovës. Legjislativi i vendit, theksoi ai, ka 120 deputetët , të cilët iu takojnë 7 grupeve parlamentare, nga të cilat dy iu takojnë përfaqësuesve të komuniteteve. Ndërkaq, duke folur rreth fushës legjislative, kryeparlamentari Krasniqi tha se në periudhën që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës janë aprovuar 120 ligje, nga të cilat 52 dalin nga Pakoja e Ahtisaarit. Sa i përket përdorimit të gjuhëve u tha se në shkallë vendi janë dy gjuhë zyrtare, por në Parlament fliten tri gjuhë.

Sir John Stanley u falënderua për mikpritjen e ngrohtë, duke vënë në dukje se Kosova zë hapësirë të gjerë në fushën e interesimeve të Qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar dhe Parlamentit. “Mbretëria e Bashkuar ka treguar dhe shfaqë gjithnjë interesim të gjerë për situatën në Kosovë, theksoi z. Sir John Stanley. Në këtë takim u diskutua edhe mundësia e anëtarësimit të Kuvendi të Kosovës në Unionin Parlamentar Ndërkombëtar, si dhe për formimin e grupeve të miqësisë ndërmjet dy parlamenteve. Bashkëbiseduesit shprehën gatishmëri të lartë për thellimin e mëtejmë të bashkëpunimit ndërparlamentar.
Kryeparlamentari Krasniqi  priti delegacionin parlamentar të Mbretërisë së Bashkuar