Lajmet e fundit

Kryekuvendari Krasniqi u takua me ambasadorin e Shqipërisë në Prishtinë, Islam Lauka

, 15.10.2009




Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, dr. Jakup Krasniqi, priti sot ambasadorin e Shqipërisë në Prishtinë, z. Islam Luka. Me këtë rast z. Lauka e falënderoi kryekuvendarin Krasniqi, në emër të kryeministrit të Shqipërisë, për pritjen e ngrohtë që iu bë atij gjatë vizitës në Kosovë. Në takim u vlerësua se është shumë e nevojshme të ruhet kontakti i vazhdueshëm ndërmjet dy shteteve. Në këtë vështrim u fol edhe për vizitën e kryetares së Kuvendit të Shqipërisë,znj. Jozefina Topalli, vizitë kjo që do të bëhet në një kohë sa më të afërt. Ambasadori i Shqipërisë gjatë këtij takimi i dorëzoi kryekuvendarit Krasniqi edhe një letër të kryekuvendares Topalli, nëpërmjet së cilës ajo e njofton z. Krasniqi me nismën e saj për të organizuar në Tiranë një konferencë rajonale të Evropës Juglindore, e cila do të mbahet nga 7 deri 8 dhjetor të këtij viti, me temë forcimin e sigurisë rajonale. Në këtë konferencë nga ana e Parlamentit të Shqipërisë do të ftohen delegacione parlamentare nga Kosova,Bosnjë-Hercegovina,Bullgaria,Kroacia,Mali i Zi, Maqedonia, Moldavia, Rumania dhe Serbia, si dhe me përfaqësues nga Austria,Greqia,Italia,Turqia,Bashkimi Evropian dhe SHBA-të. Duke shpresuar se kjo përpjekje do të gjejë mbështetje nga kryekuvendari Krasniqi, kryetarja e Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, Jozefina Topalli, bën ftesë që në këtë konferencë rajonale të marrë pjesë një delegacion nga Kuvendi i Kosovës.

Kryekuvendari Krasniqi falënderoi ambasadorin Lauka për vizitën dhe këtë ftesë, duke shprehur gatishmërinë për thellim të mëtejmë të bashkëpunimit ndërparlamentar.
Kryekuvendari  Krasniqi u takua me  ambasadorin e Shqipërisë në Prishtinë, Islam Lauka