Lajmet e fundit

Mbledhja e jashtëzakonshme e Kuvendit të Republikës së Kosovës

, 17.10.2009




Në mbështetje të kërkesës kushtetuese të presidentit të Kosovës, Fatmir Sejdiu dhe të kryeministrit të Kosovës , Hashim Thaçi, si dhe pas një marrëveshjeje të arritur ndërmjet Kryesisë së Kuvendit të Kosovës me shefat e grupeve parlamentare, sot u mbajt mbledhja e jashtëzakonshme plenare e Kuvendit të Kosovës, kryesuar nga dr. Jakup Krasniqi, kryetar i Kuvendit, në të cilën pikë e vetme e rendit të ditës ishte Ratifikimi i Marrëveshjes për demarkacion fizik të kufirit ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Maqedonisë. Kryeministri i Kosovës deputetëve iu ka dhënë informata shtesë lidhur me këtë marrëveshje, e cila është bërë në bazë të Kushtetutës së Kosovës dhe nenit 3 të Aneksit 8 të Propozimit Gjithëpërfshirës të Statusit të Kosovës të Presidentit Ahtisari. „Të gjitha grupet parlamentare, gjatë kësaj periudhe kanë marrë informata shtesë për këtë çështje, ju ndërkohë morët edhe sqarimet plotësuese. Besoj se do të reflektoni në kuptimin e vullnetit më të mirë dhe të interesit shtetëror. Ju ftoj për votim unanim në interes të shtetit dhe të qytetarëve të Kosovës“, u shpreh para deputetëve Hashim Thaçi.

Në vijim marrëveshja u hodh në votim dhe me 81 vota pro u ratifikua Marrëveshja për demarkacion fizik të kufirit ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Maqedonisë. Marrëveshja u ratifikua me dy të tretat e votave të deputetëve , që është kusht për aprovimin të marrëveshjeve ndërkombëtare.
Mbledhja e jashtëzakonshme e Kuvendit të Republikës së Kosovës