Lajmet e fundit

Filloi punimet konferenca dyditore në temën ”Përfshirja sociale...”

, 19.10.2009




Sot në ndërtesën e Kuvendit të Kosovës filloi punimet konferenca dyditore në temën “Përfshirja sociale, rrugë drejt arritjes së Objektivave Zhvillimore të Mijëvjeçarit”. Këtë konferencë, në të cilën marrin pjesë deputetë të Kosovës, ekspertë të mekanizmave ndërkombëtarë që merren me Objektivat Zhvillimore të Mijëvjeçarit dhe me Përfshirjen sociale, e ka organizuar Kuvendi i Kosovës me përkrahje të UNDP-së dhe agjencive të tjera të Kombeve të Bashkuara, kurse e ka hapur dr. Jakup Krasniqi, kryetar i Kuvendit.

“Ka kaluar një vit nga miratimi i Deklaratës së Mijëvjeçarit në Kosovë, ndërsa para pak kohësh Kuvendi ynë unanimisht aprovoi edhe “Sfidat e Përfshirjes sociale në Kosovë”, të njohur si “Letra e Bardhë”. Në këtë mënyrë, ne jemi orientuar drejt fuqizimit të ndryshimit social, duke shfrytëzuar mundësinë që t’i bashkohemi komunitetit botëror në përqafimin e Objektivave Zhvillimore”, ka thënë kryeparlamentari Krasniqi, duke i përshëndetur pjesëmarrësit. Ai në vazhdim ka theksuar se Deklarata e Mijëvjeçarit thërret kryesisht për partneritet vendor dhe ndërkombëtar, mirëpret përkrahjen ndërkombëtare, parasheh vlerësimin dhe raportimin e progresit kundrejt objektivave institucionale të vendosura dhe thërret për nxjerrjen dhe zbatimin e legjislacionit të nevojshëm. Letra e Bardhë, ka thënë ai, efektivisht identifikon çështjet drejt përfshirjes më të madhe sociale dhe zhvillimit njerëzor në Kosovë, sikurse janë çështjet për rritjen e pjesëmarrjes së qytetarëve në jetën publike dhe vendimmarrje, qasje në informacion, edukim cilësor, krijim të vendeve të punës, dialog dhe integrim ndërkulturor ndërmjet komuniteteve, respekt për të drejta të njeriut dhe sundim të ligjit.

Kreu i Kuvendit është zotuar se institucionet e Kosovës do të angazhohen seriozisht që të përmbushen OZhM-të dhe Përfshirja sociale deri më vitin 2015. Ai, ndërkaq, ndër problemet kryesore drejt realizimit me sukses të këtyre objektivave ka theksuar mungesën e statistikave të sakta, sidomos për sa i përket regjistrimit të popullsisë, i cili veprim nuk është bërë për shkaqe politike të imponuara.

Përfaqësuesi nga Zyra ndërlidhëse e Komisionit Evropian, Freek Janmat, ka folur për përvojat e vendeve të BE-së në përmbushjen e OZhM-ve dhe të Përfshirjes sociale, për politikat e BE-së në mbështetje të vendeve që konkurrojnë për anëtarësim, si dhe ka shkoqitur segmente të veçanta nga studimi për Kosovën që është bërë në tetorin e vitit të shkuar. Ai ka folur, ndërkaq, edhe për programe të veçanta të Komisionit Evropian për mbështetje Kosovës.

Edhe zonja Doina Bologa, ushtruese e detyrës së koordinatorit të Organizatës për Zhvillim të Kombeve të Bashkuara në Kosovë, është zotuar për mbështetje të programeve konkrete për zhvillim të përshpejtuar të Kosovës.

Konferenca, e cila ndodh në të njëjtën kohë me shënimin e Javës Kundër Varfërisë dhe koincidon me njëvjetorin e miratimit të Rezolutës për Deklaratën e Mijëvjeçarit në Kosovë, ka për qëllim të nxisë shkëmbim të përvojave të shteteve anëtarë dhe kandidate të Bashkimit Evropian; vlerësimin e progresit deri më sot; inicimin e diskutimeve rreth hapësirave dhe mungesave të OZhM-ve në Kosovë dhe mënyrat e adresimit të tyre, si dhe ndërtimit të partneritet ndërmjet institucioneve të Kosovës, shoqërisë civile, sektorit privat dhe partnerëve të tjerë për zhvillim në ndërmarrjen e masave legjislative dhe politikave që favorizojnë të varfrit.

Gjatë punimeve dyditore të kësaj konference do të trajtohen çështje të ndryshme si: situata aktuale e OZhM-ve dhe Përfshirjes sociale në Kosovë; politikat sociale në kontekst të integrimit evropian dhe brenda kornizës së OZHM-ve; angazhimi i deputetëve në OZhM dhe Përfshirjen sociale; kriza ekonomike dhe financiare - ndikimi në OZhM dhe Përfshirjen sociale (nga këndvështrimi i donatorëve dhe shoqërisë civile); Ndërtimi i partneriteteve; Përfshirja sociale - nga Letra në Vepër (përqendrim në masat politike prioritare për t’i mbyllur zbrazëtirat drejt OZHM-ve). Në përmbyllje të debatit, ndërkaq, do të nxirren konkluzione të vlefshme lidhur me hapat e ardhshëm në rrugën drejt arritjes së OZHM-e dhe Përfshirjes Sociale.

Lidhur me temën e konferencës dhe për rezultatet që presin nga ajo, kanë mbajtur sot konferencë me gazetarë: Ramë Buja, deputet i Kuvendit të Kosovës, Parviz Fartash, drejtor i UNDP-së në Kosovë dhe Albana Vokshi, deputete e Parlamentit të Shqipërisë.
Filloi punimet konferenca dyditore në temën ”Përfshirja sociale...”