Lajmet e fundit

Mbledhja e Komisionit për Legjislacion dhe Gjyqësi

, 20.10.2009




Komisioni për Legjislacion dhe Gjyqësi i Kuvendit të Kosovës, i kryesuar nga Bahri Hyseni, kryetar i Komisionit, në mbledhjen e sotme ka shqyrtuar propozim-amendamentet në Projektligjin për deklarimin, prejardhjen dhe kontrollin e pasurisë së zyrtarëve të lartë publikë. Fillimisht, me propozim të ekspertit të Komisionit Evropian, Gorgi Rupchev, u vendos që të ndryshohet emri i ligjit, duke e emërtuar Ligji për deklarimin e pasurisë dhe dhuratave të zyrtarëve të lartë publikë.

Komisioni ka shqyrtuar dhe miratuar disa nga amendamentet e propozuara nga nënkomisioni, një numër i të cilave kanë nxitur debat ndërmjet anëtarëve, ekspertëve ndërkombëtarë, përfaqësuesit të Agjencionit Kundër Korrupsionit dhe atyre të shoqërisë civile. Fillimisht është diskutuar nëse duhet të precizohen në ligj me funksione ose jo të gjithë të emëruarit nga presidenti të cilët duhet ta deklarojnë pasurinë e tyre. U dakordua që të përfshihen të gjithë, pa cekur gjithsecilin funksion. Gjithashtu, temë tjetër diskutimi ishte çështja e drejtorëve dhe anëtarëve të bordeve të shoqërive aksionare me pjesëmarrje të kapacitetit shtetëror dhe publik. U vendos që të gjithë të emëruarit në këto borde nga institucionet shtetërore, përqindja e aksioneve të të cilave qoftë edhe nën 50 për qind, të bëjnë deklarimin e pasurisë së tyre.

Më pas komisioni ka diskutuar rreth publikimit të pasurisë së zyrtarëve të lartë në media ose ueb faqen e Agjencionit Kundër Korrupsionit. U dhanë mendime të ndryshme nëse zyrtarët e lartë duhet ta deklarojnë pasurinë edhe të periudhës së para marrjes së detyrës zyrtare, apo deklarimi duhet ta përfshijë vetëm kohën prej marrjes së detyrës. U tha se publikimi i pasurisë së periudhës sa zyrtari nuk ka qenë në funksion zyrtar, cenon privatësinë e tij, e cila mbrohet me Kushtetutën e Republikës së Kosovës.

Rreth kësaj pike dhe çështjeve të tjera, do të diskutohet në mbledhjen e ardhshme të Komisionit.
Mbledhja e Komisionit për Legjislacion dhe Gjyqësi