Lajmet e fundit

Kryetari i Komisionit për Punë të Jashtme, Hamiti, priti ambasadorin francez në Prishtinë, Deniau

, 22.10.2009




Kryetari i Komisionit për Punë të Jashtme të Kuvendit të Republikës së Kosovës , Sabri Hamiti, njëherësh anëtar i Kryesisë së Kuvendit dhe kryetar i Grupit të miqësisë Kosovë-Francë, ka pritur sot ambasadorin e Francës në Prishtinë, François –Xavier Deniau dhe ka biseduar me të për thellimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Francës, me theks të veçantë të marrëdhënieve ndërmjet dy parlamenteve. Ai është shprehur i bindur se Grupi i Miqësisë Kosovë-Francë do të jetë një prej përshpejtuesve të këtij bashkëpunimi. Hamiti e ka njoftuar diplomatin francez me punën legjislative të Kuvendit të Kosovës, si dhe ka vënë në pah përkushtimin e institucioneve dhe të qytetarëve të vendit tonë për integrime evropiane. Ai ka kërkuar mbështetjen e Francës për proceset integruese në Bashkimin Evropian, me theks të veçantë mbështetje në procesin e liberalizimit të vizave.

Ambasadori i Francës në Prishtinë, François –Xavier Deniau, është shprehur i impresionuar me dinamizmin e jetës në Kosovë dhe me punën e përkushtuar të legjislativit të vendit. Franca e përkrah njohjen e Kosovës nga vende me të cilat ka raporte të mira, ka thënë ambasadori francez. Ai është interesuar në mënyrë të veçantë lidhur me legjislacionin për investimet e huaja në Kosovë, duke shprehur gatishmërinë e përhershme të vendit të tij për bashkëpunim jo vetëm politik, por edhe ekonomik e kulturor me Kosovën.
Kryetari i Komisionit për Punë të Jashtme, Hamiti,  priti ambasadorin francez në Prishtinë, Deniau