Lajmet e fundit

Nga dëgjimi publik i Komisionit për Integrime Evropiane

, 28.10.2009




Komisioni për Integrime Evropiane, ka mbajtur sot një dëgjim publik lidhur me Raportin e Progresit të Komisionit Evropian për Kosovën për vitin 2009, në të cilin, pos deputetëve, anëtarë të Komisionit, ishin ftuar edhe përfaqësues të mekanizmave të Qeverisë, përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile dhe institutesh profesional, të interesuar për agjendën evropiane të Kosovës.

Gati të gjithë folësit në këtë takim, të drejtuar kryetarja e Komisionit, Zylfie Hundozi, kanë shprehur brengosjen e tyre për tone më kritike se rëndom në Raportin e Progresit të Komisionit Evropian për Kosovën dhe për mospërmbushje të shumë zërave për të cilat ishin obliguar institucionet tona që në vitin e shkuar. Kjo, është thënë në takim, po e vonon edhe më procesin e liberalizimit të vizave dhe gjithë procesin e integrimit evropian të vendit tonë. Ata kanë shprehur brengosjen e tyre për ndërhyrjet politike në ndërmarrjet publike dhe në media, që janë theksuar edhe në raportin e Progresit, por edhe për luftimin e pamjaftueshëm të korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Në funksion të realizimit të agjendës evropiane për vendin tonë, përfaqësues institutesh, profesionalist të lëmit, kanë kërkuar që Komisioni për Integrime Evropiane të mos hartojë raport të vetin për përmbushjen e sfidave që dalin nga Raporti i Progresit, por të presë raportin e tillë të Qeverisë , për ta studiuar dhe plotësuar atë. Ndonjëri prej tyre, ndërkaq, ka ofruar shërbime të mira dhe mbështetje Kuvendit të Kosovës për monitorimin e Qeverisë.

Pjesëmarrësit në këtë dëgjim publik janë pajtuar se Raporti i Progresit ka vlerësime pozitive për punën e Kuvendit të Kosovës, por se gjithashtu i kanë rekomanduar legjislativit të vendit që ta hapë debatin për gjithë sfidat që dalin nga ky raport.

Duke vlerësuar se u shprehën tone më negative në takim se sa përmban Raporti i Progresit, deputetë nga radhët e pozitës, anëtarë të Komisioni, kanë theksuar se fushatat zgjedhore nuk janë rasti më i mirë për të diskutuar gjëra të tilla.

Anëtari i Kryesisë, Sabri Hamiti, ndërkaq, i ka garantuar të pranishmit se Kuvendi do të diskutojë në të gjitha nivelet, në të gjitha komisionet parlamentare dhe në seancë plenare për të gjeturat në Raportin e Progresit dhe do të bëjë punën e nevojshme për realizimin e agjendës evropiane të Kosovës.
Nga dëgjimi publik i Komisionit për Integrime Evropiane