Lajmet e fundit

Fjala e Krasniqit në dhjetëvjetorin e BQK-ës

, 30.10.2009




Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, dr. Jakup Krasniqi në kremtimin e dhjetëvjetorit të Bankës Qendrore të Kosovës, ka mbajtur një fjalë rasti, i cili pasi ka përshëndetur presidentin Sejdiu, kryeministrin Thaçi, ministrin Shala dhe guvernatorin Rexhepi, si dhe uruar punë të mbarë konferencës, me këtë rast, ka thënë:

Kuvendi i Republikës së Kosovës si themelues, përcjell nga afër veprimtarinë e institucionit qendror bankar, duke u kujdesur për infrastrukturën ligjore të tij dhe për kushtet normale të punës, për të siguruar rezultatet e pritura në shërbim të funksionimit të gjithanshëm të shtetit dhe të zhvillimit ekonomik të tij.

Gjatë këtyre dhjetë vjetëve Kosova ka themeluar e konsoliduar institucionet përkatëse të sistemit financiar dhe ka arritur një stabilitet të mirë bankar, i cili në masë të madhe i detyrohet Bankës Qendrore. Sektori bankar i Kosovës, i prirë nga Banka Qendrore, përbën një shtysë të fuqishme drejt zhvillimit ekonomik të vendit dhe të mirëqenies së përgjithshme të qytetarëve. Ky sektor, pas rrënimit të plotë, në një periudhë të shkurtër është rimëkëmbur dhe ka arritur të fitojë besimin e qytetarëve dhe të partnerëve.

Sistemi ynë i brishtë bankar në përgjithësi dhe Banka Qendrore në veçanti, këto vitet e fundit u ndodhën para sfidave tepër të rënda të krizës globale financiare, por me kënaqësi mund të konstatojmë që Kosova i përballoi ato në përgjithësi pa pasoja tepër të rënda. Nga kjo sprovë, sistemi ynë financiar duhet të ecë sigurt drejt forcimit, qëndrueshmërisë dhe ngritjes së aftësisë së tij konkurruese. Besimi i qytetarëve, në njërën anë dhe përformanca e mirë bankare, në mënyrë dialektike kanë ruajtur kursimet dhe kanë mbajtur në nivel veprimtarinë bankare e misionin e bankave për të përkrahur ekonominë e vendit, në kohën kur kriza ekonomike globale ka arritur të reflektohet edhe te ne përmes kanaleve të ndryshme të ekonomisë, të rënies së remitancës, por edhe të eksportit të reduktuar, si pasojë kryesisht e pengesave të jashtme.

Gjatë këtij viti Republika e Kosovës përmbylli me sukses procesin e anëtarësimit në Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe në Bankën Botërore, në të cilin rol të veçantë dhe të rëndësishëm kishte edhe Banka Qendrore. Ne kemi hapur kështu rrugë të reja për aderimin e Republikës së Kosovës në institucione e organizata të tjera ndërkombëtare, por edhe në proceset historike të integrimit euroatlantik.

Këto ditë institucionet e Kosovës po i trajtojnë me seriozitet të gjeturat e Raportit të Komisionit Evropian, në të cilin përformanca e Bankës sonë Qendrore paraqitet në dritë kryesisht pozitive. Ky institucion ka bërë përparim të dukshëm edhe në marrëdhëniet me bankat simotra nga vendet fqinje, që i kontribuon marrëdhënieve të përgjithshme të Kosovës me fqinjët e rajonin, por dhe proceseve integrative.

Banka Qendrore e Republikës së Kosovës ka kaluar një dekadë të suksesshme, duke realizuar objektivat që dalin nga Ligji për Bankën Qendrore. Uroj që ky institucion të vazhdojë të zhvillohet me ritëm të shpejtë, duke i kontribuar stabilitetit dhe prosperitetit ekonomik të vendit, ka thënë Krasniqi në këtë solemnitet të BQK-së.
Fjala e Krasniqit në dhjetëvjetorin e  BQK-ës