Lajmet e fundit
Fjala e kryekuvendarit Krasniqi në seancën solemne të Kuvendit të Kosovës
, 01.11.2009
I nderuar President, zoti Fatmir Sejdiu
I nderuar Kryeministër, zoti Hashim Thaçi,
Të nderuar deputetë,
I nderuari Përfaqësues Civil Ndërkombëtar në Kosovë, z. Piter Fait,
I nderuar ambasador Kristofer Dell,
Të nderuar ambasadorë dhe përfaqësues të tjerë diplomatikë,
Zonja dhe zotërinj,
Kam nderin e madh t’i drejtohem mikut tonë të shtrenjtë, ish presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, zotit Bill Klinton.
Zoti President Klinton, Ju përshëndes përzemërsisht dhe në emër të Kuvendit të Kosovës Ju uroj mirëseardhje në Republikën e Kosovës.
Kosova e lirë, e pavarur dhe demokratike Ju pret sot si birin e vet, i cili kontribuoi aq shumë që populli i saj i shumëvuajtur të jetë përgjithmonë zot i fatit të vet.
Ju zoti President i keni dhënë vulën e përjetësisë miqësisë së vjetër dhe besnike midis dy vendeve dhe popujve tanë. Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe aleatët e saj dhjetë vjet më parë kanë ndërprerë një kasaphane të vërtetë në Gadishullin tonë dhe kanë vendosur themelet e një paqeje të drejtë dhe të qëndrueshme në Kosovë e në gjithë rajonin.
Me ndihmën e miqve tanë, në këtë sallë ne e shpallëm pavarësinë, më 17 shkurt 2008, miratuam Kushtetutën moderne dhe ngritëm infrastrukturën ligjore për institucionet demokratike të Republikës së Kosovës, për të drejtat e njeriut e të komuniteteve pakicë, për jetën e lirë të qytetarëve të barabartë.
Kosova e re ka ndryshuar shumë dhe shpejt zoti President. Ajo nuk i ngjan më kohës së rëndë të luftës e para saj, nuk i ngjan as kohëve kur Ju e vizituat për herë të parë dhe për herë të dytë. Kosova e pavarur dhe sovrane, e njohur tashmë gjerësisht edhe ndërkombëtarisht, është shndërruar në atdheun e lirë të një shoqërie multietnike me qytetarët e barabartë, pa dallim etnie, bindjeje politike apo fetare. Nga një vatër krizash e krimesh gjenocidale, Kosova përbën sot një faktor paqeje, bashkëpunimi e stabiliteti në rajon.
Gjithë këto të arritura historike për vetëm një dekadë në Kosovë, i detyrohen popullit të saj të mrekullueshëm, por edhe miqve të tij të shumtë ndërkombëtarë, të prirë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian.
Ju siguroj zoti President për ndjenjën e lartë dhe të përjetshme që ka Kosova për Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe për Ju personalisht.
Unë përfitoj nga rasti që edhe njëherë, në emër të Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe të qytetarëve që përfaqësojmë, të ju shpreh Juve dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës mirënjohjen e thellë, për gjithë çfarë keni bërë për vendin tonë dhe lirinë e tij.
Ju sigurojmë zoti President që Kosova do të ecë e vendosur drejt prosperitetit të vazhdueshëm, drejt sundimit të plotë të ligjit, drejt demokratizimit e zhvillimit dhe drejt integrimeve euroatlantike, sepse ky është vullneti i qytetarëve dhe perspektiva e vetme e saj. Ne jemi të vetëdijshëm për sfidat që kemi përpara, por e dimë që nuk do të na mungojë mbështetja e miqve tanë.
Zoti i bekoftë Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe miqësinë midis Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Republikës së Kosovës!
Ju faleminderit.