Lajmet e fundit
Nga Seanca e Kuvendit të Republikës së Kosovës
, 02.11.2009
Kuvendi i Republikës së Kosovës, sot, në vazhdim të seancës plenare, të kryesuar nga dr. Jakup Krasniqi, me një minut heshtje ka nderuar viktimat e tragjedisë së lumit Tisa, në të cilën kanë pësuar qytetarë të Kosovës.
Në vazhdim seanca ka miratuar Rekomandimet e Komisionit për Ekonomi, Tregti, Industri, Transport dhe Telekomunikacion lidhur me korrigjimin e referencave në Ligjin për gazin natyror, të miratuar në Kuvend më 30 shtator 2009.
Kuvendi gjithashtu ka diskutuar rreth kërkesës së deputetit Arsim Rexhepi, me mbështetje të deputetëve të tjerë, për formimin e Komisionit hetimor për gjendjen në Radio Televizionin e Kosovës (RTK). Duke e arsyetuar kërkesën, deputeti Rexhepi tha se ajo është nënshkruar nga 43 deputetë të Kuvendit të Kosovës, dhe ka kërkuar nga grupet parlamentare që të propozojnë anëtarët e tyre në këtë komision. Përveç grupit parlamentar të LDK-së, grupet e tjera kanë shfaqur rezervat e veta rreth formimit të këtij komisioni, duke vlerësuar se kjo mund të kuptohet edhe si presion mbi RTK-në. Pas një debati për dhe kundër formimit të tij, me votim Kuvendi nuk e ka përkrahur kërkesën e deputetit Arsim Rexhepi.
Një debat i gjerë ka karakterizuar edhe Rekomandimin e Komisionit për Legjislacion dhe Gjyqësi për plotësimin e Komisionit për Provimin e Jurisprudencës. Duke e prezantuar qëndrimin e Komisionit për Legjislacion dhe Gjyqësi, deputeti Ibrahim Makolli bëri të ditur se ky komision ka shfaqur rezervat e tij rreth të propozuarve nga Ministria e Drejtësisë për anëtarë të Komisionit për Provimin e Jurisprudencës, duke vlerësuar se ata nuk plotësojnë kriteret e nevojshme. Ministrja e Drejtësisë, Nekibe Kelmendi, ka qëndruar prapa propozimit të Ministrisë që ajo udhëheq. Këtë qëndrim e ka përkrahur edhe zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi. Deputetët me shumicë votash kanë mbështetur vetëm propozimin e parë për anëtar të këtij komisioni, z. Rrustem Qehaja, ndërsa dy propozimet e tjera nuk kanë marrë votat e nevojshme. Propozimi i katërt, ndërkaq, nuk është hedhur fare në votim.
Në vazhdim të seancës Kuvendi ka miratuar propozimet për anëtarë të Komisionit për Mbikëqyrjen e FSK-së, Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave dhe atij për Mbikëqyrjen e Agjencisë së Inteligjencës.