Lajmet e fundit

Fjala e kryeministrit Thaçi në seancën solemne

, 01.11.2009




I nderuar President Klinton,
I nderuar President Sejdiu,
I nderuar Kryeparlamentar Krasniqi,
I nderuar Ambasador Dell,
Të nderuar përfaqësues të korit diplomatik,
I nderuar Piter Faith,

Zonja dhe zotërinj,

Të dashur qytetarë të Kosovës,

I nderuar President Klinton, mirë se erdhët në shtetin më të ri në botë, në Kosovën e pavarur, sovrane, demokratike dhe shumetnike, për të cilën aq shumë kontribuat Ju z. President, populli dhe Qeveria Amerikane.

Sot është një ditë e lumtur për të gjithë ne në Kosovë.

Sot po e nderojmë mikun e madh të popullit të Kosovës, ish-Presidentin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe simbolin e paqes dhe të botës së lirë, z. Bill Klinton.

Z. President, na keni bërë nder të jashtëzakonshëm që na u bashkuat në këtë festë të popullit dhe të shtetit tonë.

Ju faleminderit që iu përgjigjët pozitivisht ftesës sonë.

Festa e sotme është simbol i dashurisë dhe i respektit për Ju dhe për popullin amerikan.

Festa e sotme është shenjë e mirënjohjes së thellë nga qytetarët dhe nga institucionet e Republikës së Kosovës.

Është një motiv yni për paqe. Është frymëzim për liri në kohët që vijnë.

Të nderuar deputetë,

Zonja dhe zotërinj,

Shtatorja që do ta zbulojmë sot do të shërbejë si simbol për triumfin e lirisë, triumfin e paqes, triumfin e humanizmit në Kosovë dhe në botë.

I nderuar President Klinton,

Ne kujtojmë angazhimin Tuaj në kohen e luftës sonë për liri, në kohen kur refugjatët tanë u dëbuan dhunshëm nga shtëpitë e tyre dhe jetonin në kushte shumë të vështira.

Ju, i nderuar president Klinton, e bashkuat botën demokratike për lirinë e Kosovës. Ju faleminderit.

Edhe kur kohët dukeshin tepër të zymta, Ju na dhatë shpresë, kurajë, besim për të ardhmen tonë.

Me ndihmën Tuaj dhe me sakrificën e popullit tonë, po jetojmë të lirë dhe të pavarur në Atdheun tonë.

I nderuar President Klinton,

Ne ëndërronim për një të nesërme më të mirë. Ne besonim në lirinë dhe pavarësinë tonë.

Ne besonim në vlerat perëndimore.

Ëndrrat tona u bënë realitet.

Sot Republika e Kosovës është shtet i lirë, i pavarur, demokratik dhe shumetnik.

Sot Republika e Kosovës ka vizion për integrim në NATO dhe në Bashkimin Evropian, në miqësi të përjetshme me SHBA-të.

Ne bashkërisht e fituam luftën, bashkërisht e ndërtuam paqen dhe bashkërisht po e ndërtojmë edhe shtetin e Kosovës.

President Klinton, Ju faleminderit për tërë atë që keni bërë për Kosovën, për paqen, për lirinë dhe për lumturinë e popullit të Kosovës dhe të botës mbarë.

Ne do ta kujtojmë përgjithmonë atë që bëtë Ju për popullin dhe për vendin tonë.

President Klinton, Ju jeni humanist, jeni lider botëror i paqes, jeni hero.

Faleminderit shumë!

Shteti dhe populli i Kosovës shprehin respekt, krenohen me Ju, me SHBA-të dhe me popullin amerikan.

Zoti i bekoftë SHBA-të!

Zoti e bekoftë Kosovën!

Zoti Ju bekoftë Juve, i nderuar president!

Zoti e bekoftë familjen Tuaj!

Ju faleminderit!