Lajmet e fundit

Nga mbledhja e Kryesisë së Kuvendit të Kosovës

, 03.11.2009




Kryesia e Kuvendit të Republikës së Kosovës në mbledhjen e saj të rregullt, të drejtuar nga dr. Jakup Krasniqi, kryetar i Kuvendit, ka vendosur që seanca e Kuvendit të Kosovës të mbahet më 19 nëntor.

Në këtë seancë, pas përgjigjeve të kabinetit qeveritar pyetjeve të deputetëve për punën e Qeverisë së Kosovës, për herë të parë do të shqyrtohen: Projektligji për borxhet publike dhe Projektligji për hetim parlamentar, kurse për herë të dytë do të shqyrtohet Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 02/L-133 për parandalimin e konfliktit të interesit në ushtrimin e funksionit publik.

Në po këtë seancë deputetët do të shqyrtojnë Raportin e Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës të Kosovës për vitin 2008, Propozimvendimin e Qeverisë së Kosovës për regjistrimin e popullsisë, ekonomive familjare dhe të banesave, si dhe Propozimvendimin për uljen e taksës administrative të Trustit të Kursimeve Pensionale të Kosovës.

Ka mbetur, ndërkaq, që në mbledhjen e ardhshme të Kryesisë të plotësohet rendi i ditës për këtë seancë, si dhe të caktohet data e seancës për shqyrtimin e Proojektbuxhetit të Kosovës për vitin 20010.

Duke e shqyrtuar mocionin e deputetit Riza Smaka për përgatitjen e Projektligjit për rregullimin e marrëdhënieve juridike me element ndërkombëtar, Kryesia ka rekomanduar që nga Qeveria e Kosovës të kërkohet mendimi lidhur me këtë propozim.

Lidhur me kërkesën e deputetit Naim Rrustemi për shqyrtimin e respektimit të Ligjit për parandalimin e konfliktit të interesit në Kuvendin e Kosovës, Kryesia ka vendosur që të kërkojë nga të gjithë deputetët, të cilat, në kundërshtim me ligjin dhe Kushtetutën e Republikës së Kosovës, mbajnë funksione dhe paguhen nga buxheti i Kosovës, të heqin dorë vullnetarisht nga njëri funksion.

Duke shqyrtuar ftesën e Asamblesë Parlamentare e NATO-s për pjesëmarrjen e delegacionit të Kuvendit në Seancën vjeshtore, në Edinburg të Skocisë (më 13-17 nëntor 2009), Kryesia ka vendosur që të kërkojë nga Komisioni Parlamentar për Mbikëqyrjen e FSK-së, të propozojë delegacionin (e përhershëm) treanëtarësh, i cili do të ndiqte mbledhjet e Asamblesë Parlamentare e NATO-s.
Nga mbledhja e Kryesisë së Kuvendit të Kosovës