Lajmet e fundit

Kryekuvendari, dr. Jakup Krasniqi priti anëtarët e Bordit të ri të RTK-së

, 04.11.2009




Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, dr. Jakup Krasniqi, ka pritur sot në një takim anëtarët e Bordit të ri të Radio Televizionit të Kosovës (RTK). Në këtë takim është diskutuar rreth gjetjes së alternativave të qëndrueshme për financimin e RTK-së, dhe njëkohësisht ruajtjes së statusit të transmetuesit publik. Kryetari Jakup Krasniqi tha se aktualisht jemi para dy vështirësive sa i përket RTK-së, të cilat kanë të bëjnë me vendimin e Gjykatës Kushtetuese që të rishikohet Neni 20, Pika 1 e Ligjit mbi RTK-në, dhe vendimin e KPM-së për ndërprerjen e marketingut në televizionin publik, i cili parashihet të hyjë në fuqi në fund të këtij muaji.

Kryekuvendari Krasniqi shprehu interesimin që RTK-ja të jetë televizion publik e i pavarur, dhe ta ketë të zgjidhur mënyrën e financimit. Ai kërkoi nga Bordi i RTK-së që së bashku me KPM-në dhe me Komisionin për Administratë Publike dhe Media të Kuvendit të Kosovës, të gjejnë dy apo tri forma, dhe pastaj do të shqyrtohej se cila do të ishte më e mira dhe më e pranueshmja, jo vetëm për RTK-në, por edhe për qytetarët. Gjithashtu, do të bisedohet me KPM-në për mundësinë e shtyrjes së vendimit i cili parasheh ndërprerjen e marketingut në televizionin publik më 28 nëntor.

“Ne si Kuvend jemi shumë të interesuar që ta gjejmë një formë sa më të qëndrueshme të financimit të televizionit publik, dhe jemi të interesuar që ky televizion publik të jetë në shërbim të qytetarëve, natyrisht duke pasur një skemë programore më cilësore se që ka pasur dhe që ka aktualisht”, theksoi kreu i Kuvendit të Kosovës.

Në anën tjetër, kryetari i Bordit të RTK-së, Rrahman Paçarizi, falënderoi kryeparlamentarin Krasniqi për mbështetjen dhe garancitë që i ka dhënë Bordit për ta ndihmuar RTK-në, në mënyrë që ta ruaj statusin aktual të transmetuesit publik. Ai tha se ky është edhe orientimi themelor i Bordit të ri të RTK-së. Ruajtja e statusit publik, sipas tij, mund të bëhet duke pasur një financim i cili është jashtë vijave buxhetore, financim direkt nga publiku, si dhe duke ruajtur hapësirën e marketingut, së paku deri në kohën sa RTK nuk do të sigurojë një financim të qëndrueshëm siç parashihet edhe në ligjin për RTK-në.

“Ne i jemi mirënjohës z. Krasniqi në përpjekjet e tij që të sigurojë mbështetjen e duhur për RTK-në në kuadër të kornizave ligjore”, tha Paçarizi. Ai theksoi se praktika më e shpeshtë e financimit të transmetuesve publikë në vendet evropiane, që janë pjesë e Unionit të transmetuesve evropianë, është përmes parapagimit, madje përmes parapagimit në faturat e energjisë elektrike. Kryetari i Bordit të RTK-së tha se duhet të vazhdohet me KEK-un, sepse kjo është praktika më e mirë e transmetuesve evropianë, e cila është dëshmuar se siguron edhe pavarësi editoriale.
Kryekuvendari, dr. Jakup Krasniqi priti anëtarët e Bordit të ri të RTK-së