Lajmet e fundit

Komisioni për Punë të Jashtme shqyrtoi Raportin e Progresit

, 04.11.2009




Komisioni për Punë të Jashtme i Kuvendit të Kosovës, në mbledhjen e sotme ka shqyrtuar sot Raportin e Progresit i Komisionit të Evropian për Kosovën për vitin 2009, si dhe Rregulloren për formimin e gupeve të miqësisë ndërmjet Kuvendit të Kosovës dhe parlamenteve të tjera.

Kryetari i Komisionit, Sabri Hamiti, i cili e ka drejtuar takimin, ka theksuar kontaktet e shpeshta ditëve të fundit të udhëheqjes së Kuvendit, por edhe të komisioneve me përfaqësues të Komisionit Evropian lidhur me sfidat që dalin nga Raporti i Progresit. Ai ka theksuar se Raporti e ka prezantuar realisht punën e Kuvendit të Kosovës në planin e miratim it të legjislacionit, duke shtuar se qëndrojnë gjithashtu vërejtjet për moskontrollin e duhur të ekzekutivit. Ai, ndërkaq, e ka quajtur të rreptë këtë raport, i cili ka lënë anash përgjegjësitë e mekanizmave ndërkombëtarë në Kosovë, sidomos të EULEX-it, të cilit i është dhënë përgjegjësi për funksionimin e ligjit në Kosovë, për doganat dhe sigurinë në vend.

Hamiti ka folur edhe për interesimin e BE-së për mbështetjen e agjendës evropiane të Kosovës, e cila shihet edhe në Komunikatën e Komisionit Evropian lidhur me Kosovën. Ajo, tha kryetari i Komisionit, përvijon rrugën e liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës, dialogun për stabilizim-asocim dhe lidhjen e marrëveshjeve tregtare.

Anëtarët e Komisionit janë pajtuar që Raporti i Progresit të shqyrtohet në seancë plenare (është kërkesë edhe e Komisionit për Integrime Evropiane dhe e një grupi parlamentar). Ata janë shprehur të bindur se pranimi edhe nga Çekia i Marrëveshjes së Lisbonës do të reflektohet pozitivisht në procesin e integrimit të Kosovës në BE.

Në këtë mbledhje të Komisionit është shqyrtuar dhe plotësuar Rregullorja për formimin e Grupeve të Miqësisë ndërmjet Kuvendit të Kosovës dhe parlamenteve të tjera, e cila do të nxisë miqësinë dhe bashkëpunimin ndërparlamentar.
Komisioni për Punë të Jashtme shqyrtoi Raportin e Progresit