Lajmet e fundit

Nga mbledhja e Komisionit për të Drejtat dhe Interesat e Komuniteteve dhe Kthim

, 04.11.2009




Në mbledhjen e sotme të Komisionit për të drejtat dhe interesat e komuniteteve dhe kthim, të cilën e kryesoi znj. Sanije Aliaj, zëvendës kryetarja e parë e Komisionit, janë shqyrtuar dy projektligje: Projektligji për ndarjen e dekoratave nga ana e kryetarit të Republikës së Kosovës, me raportin e komisionit funksional – Komisioni për legjislacion, me amendamente, si dhe shqyrtimi i Projektligjit kundër korrupsionit me raportin e komisionit funksional – Komisionit për legjislacion, me amendamente.

Pas debatit, anëtarët e Komisionit kanë mbështetur procedimin e mëtejmë të njërit prej projektligjeve dhe atë të Projektligjit kundër korrupsionit me raportin e komisionit funksional – Komisionit për legjislacion, me amendamente. Ndërsa, Projektligji për ndarjen e dekoratave nga ana e Kryetarit të Republikës së Kosovës, me raportin e komisionit funksional – Komisionit për legjislacion, me amendamente, nuk ka kaluar, sepse projektligjin e përmendur Komisioni, deri më sot, nuk ka dhënë amendamentet, kështu që kjo pikë e rendit të ditës është shtyrë që të shqyrtohet në njërën prej mbledhjeve të ardhshme të komisionit.

Në mbledhjen e njëjtë, nën pikën të ndryshme, anëtarët e Komisionit kanë marrë vendim që Ministrisë së punëve të brendshme ti dërgohet një shkresë me të cilën kërkohen sqarime lidhur me mos implementimin e Ligjit për shtetësinë, posaçërisht në komunën e Pejës dhe të Istogut, dhe kryesisht për nenet 28 dhe 29 të të njëjtit ligj. Njëkohësisht, është kërkuar që ministri i Ministrisë së Punëve të Brendshme të ftohet, për pjesëmarrje, në mbledhjen e ardhshme të këtij Komisioni, me ç’rast do të duhej të ofronte informata plotësuese lidhur me këtë Ligj.
Nga mbledhja e Komisionit për të Drejtat dhe Interesat e Komuniteteve dhe Kthim