Lajmet e fundit

Kryeparlamentari Krasniqi priti koordinatoren e agjencive të OKB-së për zhvillim znj. Osnat Lubrani

, 06.11.2009




Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, dr. Jakup Krasniqi, ka pritur sot në një takim njohës koordinatoren e agjencive të OKB-së për zhvillim, njëherësh përfaqësuese e përhershme të UNDP-së, në Kosovë, znj. Osnat Lubrani, me të cilën ka biseduar për bashkëpunimin e deritashëm të Kuvendit me organizmat e OKB-së në Kosovë.

Kryeparlamentari Krasniqi e ka njoftuar znj. Lubrani për punë e Kuvendit të Kosovës. Në mënyrë të veçantë ai është përqendruar në miratimin nga Kuvendi të Rezolutës në mbështetje të Deklaratës së OKB-së për Objektivat Zhvillimore të Mijëvjeçarit, pastaj për miratimin e Letrës së Bardhë për përfshirjen sociale në Kosovë dhe për mbledhjen e përbashkët, kohë më parë, ndërmjet Kuvendit dhe UNDP-së.

Koordinatorja e agjencive të OKB-së për zhvillim, znj. Osnat Lubrani, e cila një kohë të gjatë punon për organizmat e OKB-së, ka shprehur kënaqësinë që ajo tash do të jetojë dhe punojë në Kosovë. Ajo ka vlerësuar punën e Kuvendit për arritjen e Objektivave Zhvillimore të Mijëvjeçarit dhe është zotuar se do të angazhohet të mbështesë vendin tonë drejt përmbushjes së këtyre objektivave dhe agjendës evropiane të Kosovës, nëpërmjet ngritjes ekonomike, punësimit, arsimit, shëndetësisë, etj. Ajo është shprehur e entuziazmuar me vitalitetin dhe energjinë e rinisë së Kosovës, të cilën e ka quajtur sfidë, por edhe burim të rëndësishëm të përparimit ekonomik dhe shoqëror të vendit.

Kryeparlamentari Krasniqi dhe koordinatorja e agjencive të OKB-së për zhvillim, Lubrani, janë pajtuar për thellimin e bashkëpunimit në të ardhmen, përfshirë edhe mbështetjen profesionale për hartimin e legjislacionit.
Kryeparlamentari Krasniqi priti koordinatoren e  agjencive  të OKB-së për zhvillim znj. Osnat Lubrani