Lajmet e fundit

Nga mbledhja e Kryesisë së Kuvendit të Kosovës

, 10.11.2009




Kryesia e Kuvendit të Republikës së Kosovës ka përcaktuar sot rendin e ditës për tri seancat e ardhshme të Kuvendin e Kosovës. Në këtë mbledhje të drejtuar nga dr. Jakup Krasniqi, kryetar i Kuvendit, në të cilën merrnin pjesë edhe shefat e grupeve parlamentare, është vendosur që në seancën e 19 nëntorit, pas shterimit të pyetjeve parlamentare për punën e Qeverisë së Kosovës, të shqyrtohen për herë të parë: Projektligji për borxhet publike dhe Projektligji për hetim parlamentar, kurse për herë të dytë, të shqyrtohet Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit (nr. 02/L-133) për parandalimin e konfliktit të interesit në ushtrimin e funksionit publik.

Në të njëjtën seancë do të shqyrtohen: Raporti i Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës të Kosovës, për vitin 2008, propozimvendimi i Qeverisë së Kosovës për regjistrimin e popullsisë, ekonomive familjare dhe të banesave, si dhe propozimvendimi i Trustit të Kursimeve Pensionale të Kosovës për uljen e taksës administrative për qeverisjen e mjeteve të kursimeve pensionale.

Kryesia ka vendosur që në seancë ta radhisë edhe Rekomandimin e Komisionit për Buxhet dhe Financa lidhur me kërkesën e Ministrisë së Ekonomisë dhe Financave për ndarjen shtesë të mjeteve buxhetore për Zyrën e Auditorit të Përgjithshëm, ndërkaq, e ka miratuar Rregulloren për formimin e grupeve të miqësisë, sipas rekomandimit të Komisionit për Punë të Jashtme, të prezantuar nga kryetari i këtij komisioni, Sabri Hamiti. Një ditë më vonë (më 20 nëntor) do të shqyrtohet Projektligji për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2010, kurse në seancën e 26 nëntorit do të debatohet lidhur me Raportin e Komisionit Evropian për progresin në Kosovë, për vitin 2009 (sipas kërkesës së Komisionit për Integrime Evropiane dhe të Grupit Parlamentar të LDD-së).

Pasi anëtarët e Kryesisë janë njoftuar me shkresën e ministrit, Valton Beqiri për funksionimin e Këshillit për Trashëgimi Kulturore, është vendosur të ngarkohet Komisioni për Arsim, Shkencë, Kulturë, Rini dhe Sporte që në bashkëveprim me Ministrinë për Kulturë, Rini dhe Sporte, me Këshillin për Trashëgimi Kulturore dhe me Ministrinë e Administratës Publike të shqyrtojnë problematikën e përgjegjësive dhe të fushëveprimit të tyre dhe, mbi bazën ligjore, Kuvendit t’i paraqesë raportin me rekomandime.
Nga mbledhja e Kryesisë së Kuvendit të Kosovës