Lajmet e fundit

Nga mbledhja e Komisionit për Integrime Evropiane

, 17.11.2009




Komisioni për Integrime Evropiane i Kuvendit të Republikës së Kosovës, nën udhëheqjen e kryetares Zylfije Hundozi, ka zhvilluar sot një takim me përfaqësues nga projekti për binjakëzim, Sotiraq Guga, ekspert për integrime evropiane, dhe Rolf Hunink, këshilltar i përhershëm për këtë projekt. Në këtë takim është diskutuar rreth proceseve integruese të Kosovës dhe bashkëpunimit në këtë fushë. Përfaqësuesit nga projekti për binjakëzim kanë shfaqur interesimin për ta ndihmuar Komisionin dhe institucionet e Kosovës në përgjithësi, në rrafshin e integrimit evropian. Rolf Hunink foli rreth rolit të Komisionit për Integrime në identifikimin e sfidave rreth integrimit, dhe ndihmën që do t’i jepet atij nga ekspertë ndërkombëtarë në kuadër të projektit për binjakëzim. Ai tha se anëtarët e Komisionit duhet të përcaktojnë prioritetet, të cilat do të diskutohen me ekspertët.

Eksperti Sotiraq Guga tha se gjatë periudhës së bashkëpunimit me këtë Komision do të punohet në identifikimin e avantazheve dhe sfidave në procesin e integrimit të Kosovës, dhe kapaciteteve të institucioneve të Kosovës për t’iu përgjigjur këtij procesi. Ai tha se bashkërisht do të diskutohen alternativat se çka mund të ndihmohet në mënyrë që ky proces të përballohet më lehtë. Guga përgëzoi anëtarët e Komisionit për përgatitjen e planit të veprimit në përgjigje të Raportit të Progresit të Komisionit Evropian.

Nga ana tjetër, kryetarja Zylfije Hundozi, e njoftoi ekspertin Guga me punën e Komisionit për Integrime, për sfidat dhe problemet me të cilat ai është përballur gjatë periudhës dyvjeçare të funksionimit të tij. Edhe anëtarët e tjerë të Komisionit folën rreth këtyre sfidave dhe shfaqën interesimin për bashkëpunim me ekspertin Guga, në gjetjen e alternativave për lehtësim të procesit integrues të Kosovës në Bashkimin Evropian.
Nga mbledhja e Komisionit për Integrime Evropiane