Lajmet e fundit

Nga punimet e seancës plenare të Kuvendit të Kosovës

, 19.11.2009




Kuvendit i Republikës së Kosovës në seancën e sotme, të drejtuar nga dr. Jakup Krasniqi, kryetar i Kuvendit, ka miratuar në parim Projektligjin për borxhet publike dhe atë për Hetim parlamentar, kurse e ka miratuar përfundimisht (me e gjithë amendamente) Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit (nr. 02/L-133) për parandalimin e konfliktit të interesit në ushtrimin e funksionit publik.

Duke e prezantuar para deputetëve Projektligjin për borxhet publike, ministri i Ekonomisë dhe Financave, Ahmet Shala, ka theksuar rëndësinë tepër të madhe që ka miratimi i këtij ligji për zhvillimin e përshpejtuar ekonomik të Kosovës. Duke iu përgjigjur vërejtjeve të shumta të deputetëve nga radhët e opozitës ai ka theksuar se teksti i projektligjit është harmonizuar me Fondin Monetar Ndërkombëtar, sidomos për sa i përket plafonit të ngarkimit me borxhe. Shala ndërkaq është zotuar se në një kohë jo shumë të largët do të miratohet edhe Ligji për letrat me vlerë që ndërlidhet me Ligjin për borxhet publike, të cilin e ka quajtur “ligj që e konfirmon shtetësinë e Kosovës”.

Projektligjin për hetim parlamentar, ndërkaq, e ka prezantuar kryetari i Komisionit për Legjislacion dhe Gjyqësi, Bahri Hyseni, i cili ka theksuar se duke e parë se komisionet parlamentare ngarkohen herë pas here me hetime parlamentare për çështje të ndryshme, komisioni, të cilin e drejton ai e ka parë të nevojshme hartimin e këtij projektligji. Deputetët me gjithë vërejtjet e bëra, janë pajtuar se vendit i duhet një ligj i tillë, prandaj edhe e kanë mbështetur me shumicë votash.

Në seancën e sotme të Kuvendit është shqyrtuar edhe propozim-vendimi i Qeverisë së Kosovës për regjistrimin e popullsisë, ekonomive familjare dhe të banesave, arsyetimin e të cilit e ka dhënë ministri i Administratës Publike, Arsim Bajrami. Ai me të rast ka përkujtuar faktin që në Kosovë nuk është bërë regjistrim i popullsisë që nga viti 1981, me gjithë zhvillimet shumë të vrullshme demografike në vend. Bajrami ka theksuar se Qeveria propozon që regjistrimi të kryhet nga 30 marsi deri më 11 prill të viti 2011. Si fakt inkurajues ai ka përmendur përfshirjen e komuniteteve në regjistrim dhe mbështetjen e projektit nga EUROSTAT-i, kurse ka pohuar se për kryerjen me sukses të regjistrimit të popullsisë, ekonomive familjare dhe të banesave do të trajnohen rreth tetë mijë njerëz. Pas një debati të gjerë parlamentar në këtë temë, deputetët me shumicë votash e kanë mbështetu propozim-vendimin e Qeverisë së Kosovë.

Në fillim të seancës, ndërkaq, kryeparlamentari Krasniqi e ka falënderuar kompaninë “Mabetex” dhe pronarin e saj, Behgjet Pacolli, për renovimin e sallës së seancave (lozhën për mysafirë), si donacion. Kryeministri Thaçi, zv.kryeminiostri Kuçi dhe ministrat e kabinetit qeveritar, ndërkaq, u janë përgjigjur pyetjeve parlamentare për punën e Qeverisë së Kosovës.

Deputetët e Kuvendit të Kosovës e kanë miratuar sot edhe Raportin e Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës të Kosovës, për vitin 2008, propozim-vendimin Trustit të Kursimeve Pensionale të Kosovës për uljen e taksës administrative për qeverisjen e mjeteve të kursimeve pensionale, si dhe kërkesën e Ministrisë së Ekonomisë dhe Financave për ndarjen shtesë të mjeteve buxhetore për Zyrën e Auditorit të Përgjithshme (në vlerë prej 93453 euro).

Fare në fund të seancës deputetët janë njoftuar me përfundimin e Kryesisë së Kuvendit lidhur me kërkesën e deputetit Naim Rrustemi për respektimin e Ligjit për parandalimin e konfliktit të interesit në ushtrimin e funksionit publik.
Nga punimet e seancës plenare të Kuvendit të Kosovës