Lajmet e fundit

Delegacioni i Administratës së Kuvendit vizitoi Saborin kroat

, 23.11.2009




Një delegacion i Administratës së Kuvendit të Republikës së Kosovës, i kryesuar nga sekretari i Kuvendit, Ismet Krasniqi, ka realizuar një vizitë zyrtare në Saborin e Republikës së Kroacisë, me ftesë të sekretarit të këtij parlamenti, Josip Sesar.

Pos takimeve të shumta me drejtues sektorësh të Administratës së Saborit kroat dhe njohjes me përvojat e kësaj administrate, është nënshkruar, me këtë rast, Memorandumi i mirëkuptimit ndërmjet Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe Saborit të Republikës së Kroacisë.

Ky dokument i bashkëpunimit të ndërsjellë, parasheh mbështetjen e Kuvendit të Kosovës me ekspertë kroatë të legjislacionit, të menaxhmentit të financave, të llogarive të kontabilitetit, arkivimit, dokumentacionit dhe regjistrimit të postës, në funksion të organizimit të një administrate të përhershme e të pavarur, si parakusht i funksionimit të mirë të çdo parlamenti.

Sekretarët e përgjithshëm të të dy parlamenteve, të cilët e kanë nënshkruar dokumentin, janë shprehur të bindur se projekti “Mbështetje e mëtejme e Kuvendit të Kosovës” do të jetë i suksesshëm.

Memorandumi i mirëkuptimit do të zgjasë deri më 31 dhjetor 2010, me mundësinë që ai të ripërtërihet.
Delegacioni i Administratës së Kuvendit vizitoi Saborin kroat