Lajmet e fundit

Fjala përshëndetëse e Kryetarit të Kuvendit, zotit Jakup Krasniqi me rastin e vizitës së Ambasadorit Albert Rohan në Kuvendin e Kosovës

, 24.11.2009




I nderuar Kryeministër, zoti Hashim Thaçi,
Të nderuar ministra,
Të nderuar deputetë,
Të nderuar përfaqësues diplomatikë dhe të ftuar,
Zonja dhe zotërinj

Në Kuvend sot kemi mysafir Ambasadorin e nderuar dhe mikun tonë, zotin Albert Rohan, të cilin e përshëndes në emrin tuaj dhe timin, duke i uruar mirëseardhje në Republikën e Kosovës e në këtë seancë solemne parlamentare.

Zoti ambasador, emri i presidentit Ahtisaari dhe emri Juaj janë të njohur dhe të dashur gjithandej në Kosovë, prandaj edhe prania dhe fjala që do të mbani në këtë sallë, janë të mirëseardhura, sepse e nderojnë vendin tonë dhe institucionet e tij.

Sipas Propozimit Tuaj Gjithëpërfshirës për statusin e Kosovës dhe me ndihmën e miqve tanë, ne e shpallëm pavarësinë, më 17 shkurt 2008, miratuam Kushtetutën moderne, ngritëm infrastrukturën ligjore, ndërtuam institucionet demokratike të Republikës së Kosovës, siguruam të drejtat e njeriut e të komuniteteve pakicë, jetën e lirë të qytetarëve të barabartë dhe shoqërinë multietnike.

Këto ditë zhvilluam zgjedhjet e para vendore pas shpalljes së pavarësisë, të cilat i përmbushën standardet ndërkombëtare dhe dëshmuan funksionalitetin e demokracisë sonë të re. Në këto zgjedhje morën pjesë edhe komunitetet pakicë, pa përjashtim, që përbën faktin e integrimit të vazhdueshëm të tyre në shoqërinë e Kosovës. Institucionet e Kosovës do të bëjnë gjithë çfarë është e mundur që komunat e reja, me popullsi të komuniteteve pakicë të jenë funksionale dhe në dobi të qytetarëve që jetojnë në to.

Pavarësia e Kosovës, tashmë e njohur nga 63 vende anëtare të OKB, e ka stabilizuar vendin dhe është reflektuar drejtpërdrejt në forcimin e paqes e të bashkëpunimit në rajonin tonë, deri dje të trazuar.

Gjatë këtyre më pak se dy viteve të pavarësisë, Kosova ka ndryshuar shumë, duke bërë përparime të dukshme në të gjitha fushat.

Bashkëpunimi ynë me fqinjët dhe rajonin, aderimi në familjen e madhe evropiane e euroatlantike, do të na sigurojnë zhvillim të qëndrueshëm demokratik, përparim ekonomik e mirëqenie sociale.

Para sa kohësh isha në vizitë zyrtare Finlandës mike, ku pata rastin e mirë të takohesha edhe me Presidentin Ahtisaari, të cilit i shpreha mirënjohjen tonë të thellë, e njoftova me proceset nëpër të cilat po kalon Republika e Kosovës dhe i urova çmimin për paqe, i cili iu dha meritueshëm.

Përfitoj nga rasti që edhe njëherë, në emër të Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe të qytetarëve që përfaqësojmë, të ju shpreh Presidentit Ahtisaari, Juve dhe ekipit që keni udhëhequr, mirënjohjen e thellë, për gjithë çfarë keni bërë për vendin tonë dhe pavarësinë e tij.

Ju sigurojmë zoti Ambasador që Kosova do të ecë e vendosur drejt prosperitetit të vazhdueshëm, drejt sundimit të plotë të ligjit, drejt demokratizimit e zhvillimit dhe drejt integrimeve euroatlantike, sepse ky është vullneti i qytetarëve dhe perspektiva jonë e vetme.

Zoti Ambasador Rohan, duke ju falënderuar edhe njëherë, kam kënaqësinë t'ju ftoj t’i drejtoheni me një fjalë Kuvendit të Republikës së Kosovës.

Faleminderit.