Lajmet e fundit

Seancë solemne për nder të ish-zëvendës ndërmjetësuesit për statusin e Kosovës, Albert Rohan

, 24.11.2009




Kuvendi i Republikës së Kosovës, i kryesuar nga dr. Jakup Krasniqi, mbajti sot një seancë solemne për nder të ish-zëvendës ndërmjetësuesit për statusin e Kosovës, Albert Rohan. Duke i uruar mirëseardhje ambasadorit Rohan, në emrin e tij dhe të deputetëve, kryeparlamentari Krasniqi tha se emri i presidentit Ahtisaari dhe emri ambasadorit Rohan janë të njohur dhe të dashur gjithandej në Kosovë.

“Sipas Propozimit Tuaj Gjithëpërfshirës për statusin e Kosovës dhe me ndihmën e miqve tanë, ne e shpallëm pavarësinë, më 17 shkurt 2008, miratuam Kushtetutën moderne, ngritëm infrastrukturën ligjore, ndërtuam institucionet demokratike të Republikës së Kosovës, siguruam të drejtat e njeriut e të komuniteteve pakicë, jetën e lirë të qytetarëve të barabartë dhe shoqërinë multietnike”, theksoi Krasniqi. Ai përmendi mbajtjen e zgjedhjeve të para vendore pas shpalljes së pavarësisë, të cilat i përmbushën standardet ndërkombëtare dhe dëshmuan funksionalitetin e demokracisë së re të Kosovës. Krasniqi potencoi se në këto zgjedhje morën pjesë edhe komunitetet pakicë, pa përjashtim, që përbën faktin e integrimit të vazhdueshëm të tyre në shoqërinë e Kosovës. Ai kujtoi se pavarësia e Kosovës, tashmë e njohur nga 63 vende anëtare të OKB, e ka stabilizuar vendin dhe është reflektuar drejtpërdrejt në forcimin e paqes e të bashkëpunimit në rajonin tonë, deri dje të trazuar. Kryeparlamentari Krasniqi foli për zhvillimet e tjera dhe të arriturat në Kosovë.

Ai kujtoi takimin me presidentin Ahtisaari gjatë vizitës së fundit në Finlandë. “Përfitoj nga rasti që edhe njëherë, në emër të Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe të qytetarëve që përfaqësojmë, të ju shpreh Presidentit Ahtisaari, Juve dhe ekipit që keni udhëhequr, mirënjohjen e thellë, për gjithë çfarë keni bërë për vendin tonë dhe pavarësinë e tij. Ju sigurojmë zoti Ambasador që Kosova do të ecë e vendosur drejt prosperitetit të vazhdueshëm, drejt sundimit të plotë të ligjit, drejt demokratizimit e zhvillimit dhe drejt integrimeve euroatlantike, sepse ky është vullneti i qytetarëve dhe perspektiva jonë e vetme”, tha kryetari i Kuvendit Jakup Krasniqi.

Ish-zëvendës ndërmjetësuesi për statusin e Kosovës, Albert Rohan, në fjalën e tij para deputetëve të Kuvendit të Kosovës, evokoi kujtime që nga fillet e aktivitetit të tij politik për Kosovën. Ai tha se njëri ndër aktivitetet e para sa i përket Kosovës ishin instruksionet nga ministri i jashtëm austriak, për të filluar procedurat e OSBE-së rreth të drejtave të njeriut në Kosovë.

Në vijim, ambasadori austriak kujtoi takimin në Vjenë me ish-presidentin Ibrahim Rugova, dhe vizitat pasuese në Prishtinë. Albert Rohan kujtoi kontaktimin me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës. Sipas tij, në atë kohë UÇK-ja ishte një faktor vendimmarrës, kontrollonte pika nëpër disa pjesë të rajoneve në vend. Ambasadori austriak përmendi takimet me përfaqësues UÇK-së në Malishevë. “Motivi im kryesor ishte për të kuptuar se kush ishte krahu politik i UÇK-së. Sepse, duke ndjekur përleshjet, sigurisht se duhej të ndodhte edhe një proces politik, i cili do t’i përfaqësonte dhe do të vendoste marrëdhënie ndërmjet UÇK-së dhe liderëve të Kosovës, presidentit Rugova, konkretisht”, tha Rohan. Ai përmendi edhe vizitën pasuese në Malishevë së bashku me diplomatë të tjerë të Bashkimit Evropian. “Nuk do ta harrojë kurrë atë çka pamë atje, pamë fshatra të shkatërruara, shtëpi të djegura, ishte një pamje e tmerrshme. Malisheva ishte e shkatërruar nga ushtria”, theksoi Rohan, duke kujtuar më pas takimin me ish-presidentin jugosllav Milosheviq.

Në vizitën e radhës në Kosovë, në vitin 1999, ambasadori Rohan kujtoi takimin me gjeneralin francez në Mitrovicë. “Kjo ndodhi menjëherë pasi ishte mbyllur ura. I thashë gjeneralit se duhet të siguroni lirinë e qarkullimit në urë. Dhe sa më shpejt që do ta bëni këtë, më e vogël do të jetë edhe kostoja, i thashë atij, duke i përkujtuar atë që kishte ndodhur në Mostar. Në këtë rajon ndarjet po bëhen të përjetshme, prandaj duhet të bëni diçka. Ai kishte strategji të ndryshme, dhe më pas të gjithë i dimë rezultatet”, theksoi para deputetëve të Kuvendit ambasadori austriak.

Ai dha detaje nga negociatat për statusin e Kosovës. Rohan theksoi se pozicionet e Prishtinës dhe Beogradit në negociata ishin të kundërta. Gjithashtu, ishin të vetëdijshëm se sa i përket çështjes fundamentale të sovranitetit, ishte e pamundur që të gjendej një gjuhë e përbashkët për të dyja pozicionet. Sa i përket pikëpamjeve historike të Konferencës dhe të realitetit në terren, u shpreh Rohan, nuk kishte zgjidhje tjetër përpos përcaktimit për pavarësi. Por, ai tha se u munduan të ndërtojnë sa më shumë ura me serbët, në mënyrë që ta bënin sa më të lehtë për ta pranimin e një Kosove të pavarur, si vendin e tyre. Dhe gjithashtu shpresohej se në këtë formë do ta merrej edhe përkrahja e Këshillit të Sigurimit të OKB-së. “Në fillim kjo pozitë nuk dukej edhe kaq, dhe kishim përshtypjen se të gjithë anëtarët e përhershëm të Këshillit të Sigurimit do ta pranonin këtë qasje, pra pavarësinë e Kosovës. Më pas në vitin 2006, shumë nga këto vende ndryshuan qëndrim për shkak të pozitës së njërit nga anëtarët e përhershëm të Këshillit të Sigurimit, dhe më pas u bë e pamundur që të merrej aprovimi i OKB-së. Përkundër kësaj, unë mendoj që ishte një propozim që i lejonte Kosovës ta fitonte pavarësinë në një mënyrë të koordinuar, dhe të merrte përkrahje ndërkombëtare”, theksoi Rohan, duke shfaqur shpresën se një ditë edhe serbët e Kosovës do ta kuptojmë se propozimet e Ahtisarit janë në favor të tyre. Ai tha se zgjedhjet e fundit ndoshta janë një indikacion se edhe ata kanë filluar të vetëdijesohen.

Duke uruar për zgjedhjet e para pas pavarësisë, ambasadori austriak theksoi se sipas të gjithë monitoruesve, kanë qenë zgjedhje demokratike dhe të drejta, dhe dëshmuan edhe njëherë për pjekurinë politike të Kosovës.

Sa i përket të ardhmes së Kosovës, ai ritheksoi se pavarësia e Kosovës është fakt i pakthyeshëm, ndërkaq tha se shpreson që edhe Beogradi do ta pranojë këtë realitet, dhe në vend se të krijojë vështirësi për Kosovën, është më mirë t’i ofrojë dorën e miqësisë. “E njëjta gjë vlen edhe për pesë vendet e Bashkimit Evropian, të cilat ende nuk e kanë njohur Kosovën dhe të cilat ende refuzojnë të ndërmarrin një konsensus për të unifikuar pozicionin e Bashkimit Evropian, i cili sjell pasoja duke vonuar normalizimin e situatës dhe stabilizimin e kësaj pjese të Ballkanit. Duhet thënë se kjo nuk është politikë e Bashkimit Evropian”.

Albert Rohan tha se shtetndërtimi është një ndërmarrje shumë e vështirë në çfarëdo rrethanash, dhe natyrisht që përcillet me shumë probleme, me të cilat Kosova duhet të ballafaqohet në nivel rajonal dhe ndërkombëtar. Ai përmendi të arriturat në Kosovë, por theksoi se ende ka mjaft sfida. Në këtë rast ceku përmirësimin e kushteve të situatës ekonomike, për të cilën tha se është një kriter i vërtetë për suksesin e Kosovës.

Rohan potencoi se ardhmja e Kosovës është në BE, dhe e njëjta vlen për të gjitha vendet e rajonit. “Vendet kandidate duhet t’i zgjidhin të gjitha konfliktet me vendet fqinje, para se t’i bashkohen Bashkimit Evropian. Jo t’i shmangin problemet. Sipas pikëpamjes sime, Serbia dhe Kosova do të pranohen në BE. Dhe sa më parë që ato i zgjidhin problemet e tyre, kjo është më mirë”, theksoi Rohan.

Ai në fund kujtoi fjalët e mikut të tij, Marti Ahtisaari, më 15 qershor në këtë Kuvend, se Kosova është vend demokratik e tolerant, dhe kjo do t’i mundësojë integrimin në BE.
Seancë solemne për nder të ish-zëvendës ndërmjetësuesit për statusin e Kosovës, Albert Rohan