Lajmet e fundit

Mbledhja e Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike

, 01.12.2009




Komisioni për Mbikëqyrjen e Financave Publike i Kuvendit të Republikës së Kosovës, kryesuar nga z. Haki Shatri, kryetar i Komisionit, ka mbajtur sot mbledhjen e dytë të radhës pas formimit të tij, në të cilën temë diskutimi ka qenë Propozim - Mandati i Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike.

Gjatë kësaj mbledhje anëtarët e këtij komisioni kanë shprehur shqetësimin e tyre rreth kompetencave të komisionit në fjalë, duke kërkuar vijë ndarëse mes Komisionit për Mbikëqyrje të Financave Publike dhe Komisionit për Buxhet dhe Financa, në mënyrë që të mos ketë raporte të dyfishta për të njëjtën çështje nga të dyja komisionet, meqë punët e këtyre dy komisioneve janë të ndërlidhura.

Qëllimi i Komisionit për Mbikëqyrje të Financave Publike është të kërkojë llogaridhënie nga entitetet publike për ligjshmërinë dhe efektshmërinë me të cilën ato shfrytëzojnë paratë publike.

Anëtarët e këtij komisioni propozuan që ky Komision si detyrë plotësuese t’i ketë edhe raportet vjetore për punën e Zyrës së Auditorit të Përgjithshëm dhe të kryejë përzgjedhjen e auditorëve të jashtëm, të cilët do të bëjnë auditimin e Zyrës së Auditorit të Përgjithshëm.

Po ashtu, në rast se komisioni konstaton ndonjë shkelje apo vepër penale tek ndonjë zyrtar i lartë, anëtarët e komisionit u dakorduan që të kenë të drejtë që lëndët t’i procedojnë nëpër gjykata, gjithnjë në rast se pas procedimit në Kuvend nuk ndërmerret ndonjë masë.

Anëtarët e Komisionit kanë shtruar edhe propozimin rreth përzgjedhjes së anëtarëve të Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike, duke kërkuar njëherazi që mos të jetë e tërë përbërja e anëtarëve të këtij komisioni nga anëtarët e njejtë të Komisionit për Buxhet dhe Financa. Ndërsa, propozim tjetër ishte edhe çështja e emërtimit të Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike. Disa nga anëtarët kërkuan që ky komision të quhet Komitet.

Anëtarët e Komisionit njëzërit kërkuan që pikë kyçe e këtij komisioni të jetë mbikëqyrja e Ministrisë së Ekonomisë dhe Financave, ndërmarrjet publike dhe Auditori.

Kryetari i Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike, Haki Shatri tha prerazi se pjesa e punës së këtij komisioni është e ndarë nga Komisioni për Buxhet dhe Financa. Shatri shtoi se të gjitha çështjet rreth përgjegjësive të këtyre dy komisioneve janë tejet të qarta.

Megjithatë, gjatë takimit të sotëm anëtarët e Komisionit nuk e miratuan rregulloren e Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike. Kjo, u vendos të bëhet më 15 dhjetor të këtij viti.
Mbledhja e Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike