Lajmet e fundit

Kryeparlamentari Krasniqi mban mbledhje me kryetarët e komisioneve parlamentare

, 02.12.2009




Procedimi i projektligjeve nga komisionet parlamentare dhe dinamika e realizimit të Programit të punës së Kuvendit të Republikës së Kosovës, për vitin 2009, deri më 25 nëntor të këtij viti, ishin tema kryesore të mbledhjes së sotme, që pati kryetari i Kuvendit të Kosovës, dr. Jakup Krasniqi, me kryetarët e komisioneve parlamentare të Kuvendit të Republikës së Kosovës. Si në fjalën hyrëse të kryeparlamentarit Krasniqi, ashtu edhe në diskutimet e kryetarëve të komisioneve, u fol për nevojën e përshpejtimit të punëve për shqyrtimin dhe procedimin e projektligjeve. Kryetarët e komisioneve u zotuan se do të angazhohen që me procedurë sa më të shpejtuar të punojnë komisionet, në mënyrë që deri në fund të vitit të kryhen sidomos projektligjet që tashmë kanë kaluar leximin e parë dhe presin të procedohen në lexim të dytë.

Me këtë rast kryetarët e komisioneve të reja njoftuan kryeparlamentarin Krasniqi për fillimin e punës së këtyre komisioneve. Për të siguruar një efektshmëri sa më të lartë në fushën e procedimit të projektligjeve u vendos që takime të këtilla pune të mbahen një herë në muaj.
Kryeparlamentari  Krasniqi mban mbledhje  me kryetarët e komisioneve parlamentare