Lajmet e fundit

U takuan në Tiranë sekretarët e parlamenteve të Ballkanit Perëndimor

, 07.12.2009




Menaxhimi elektronik i parlamenteve, ka qenë tema e Konferencës rajonale të sekretarëve të parlamenteve të vendeve të Ballkanit Perëndimor, të mbajtur në Tiranë më 3 dhe 4 dhjetor.

Kuvendin e Republikës së Kosovës në këtë takim e ka përfaqësuar sekretari i përgjithshëm i Kuvendit, Ismet Krasniqi.

Pas përfundimit të këtij aktiviteti, nga sekretarët respektiv, Marlind Myftiu dhe Ismet Krasniqi është nënshkruar Memorandumi i mirëkuptimit ndërmjet Shërbimeve të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë dhe Administratës së Kuvendit të Republikës së Kosovës.

Meromandumi i mirëkuptimit ka për qëllim rritjen e nivelit të bashkëpunimit ndërmjet shërbimeve të administratës të të dy kuvendeve, si dhe afirmimin e vullnetit për të nxitur bashkëpunimin dypalësh në fushat e mëposhtme, si:

Binjakëzimin e strukturave të shërbimeve të administratës të të dy kuvendeve;

Shkëmbimin e ndërsjellë të eksperiencës dhe informacionit, ndihmë dhe asistencë në procesin ligjvënës në komisionet parlamentare dhe seancë plenare, si dhe kontrollit parlamentar;

Asistencën në fushën e përafrimit të legjislacionit me aqcius communautaire;

Shkëmbimin e ndërsjellë të ekspertëve të shërbimeve respektive të të dy vendeve (duke përfshirë inkuadrimin e tyre pranë shërbimeve respektive për periudha të caktuara);

Organizimin e aktiviteteve të përbashkëta të shërbimeve; aplikimin e projekteve të përbashkëta pranë institucioneve të ndryshme ndërkombëtare dhe donatorëve;

Asistencën në fushën e procedurave parlamentare dhe të akteve të tjera parlamentare;

Dhënien e eksperiencës për përfaqësimin e Kuvendit të Kosovës përpara Gjykatës Kushtetuese si palë e interesuar në gjykime kushtetuese, etj.

Të dyja palët kanë rënë dakord për nevojën e mbajtjes së kontakteve ndërmjet administratave, si dhe kanë konfirmuar gatishmërinë e tyre për shkëmbim të ekspertëve mbi parimet bilaterale, në kuadër të bashkëpunimit sipas planit financiar.
U takuan në Tiranë sekretarët e parlamenteve të Ballkanit Perëndimor