Lajmet e fundit

Fjala e Xhavit Halitit në Konferenca Rajonale të Asamblesë Parlamentare për Evropën Juglindore

, 08.12.2009




Anëtari i Kryesisë së Kuvendit të Kosovës, Xhavit Haliti, i cili po merr pjesë në krye të një delegacioni parlamentar të Kuvendit të Republikës së Kosovës , në Konferenca Rajonale të Asamblesë Parlamentare për Evropën Juglindore, me temë: “Forcimi i bashkëpunimit të Sigurisë për pranim më të shpejtë të Evropës Juglindore në BE”, e cila po mbahet në Tiranë,iu drejtua me një fjalë pjesëmarrësve të kësaj konference. Në fjalën e tij ai tha:”

Z.Moderator i këtij sesioni!

Të nderuar pjesëmarrës!

Ndihem tepër i nderuar dhe,njëherësh,edhe tepër i përgjegjshëm për praninë dhe fjalën time, si përfaqësues i shtetit më të ri në rajonin e Evropës Juglindore,në kontinentin tonë dhe në mbarë Globin,në këtë Konferencë rajonale për forcimin e bashkëpunimit, për një pranim më të shpejtë të Evropës Juglindore në BE.I përjetoj këto dy ndjesi,nderimin dhe përgjegjësinë për praninë këtu dhe për mbajtjen e kësaj fjale para Jush;
- Përfaqësuesve parlamentarë nga shteteve evropiane juglindore;
- Përfaqësuesve të Parlamentit Evropian dhe të parlamenteve të Austrisë,Italisë, ,Turqisë, Greqisë;
- Nga Bashkimi Evropian dhe SHBA-ja; - Nga NATO,Europol,Interpol,DCAF;
- Nga ambasadorët e vendeve pjesëmarrëse të akredituar në Tiranë.
- Nga përfaqësuesit e lartë të organeve shtetërore për Sigurinë dhe Rendin në Republikën e Shqipërisë;
- Si dhe OSCE,PAMECA,ICITAP,EURALIS,OBDAT etj…

Dua të veçoj në këtë nisëm të fjalës sime falënderimin e posaçëm për organizatorët dhe mikpritësit tanë,personalitetet e larta shtetërore shqiptare dhe gjej rastin t’i uroj anëtarësimin në NATO Republikës së Shqipërisë dhe për pranimin e kërkesës së saj si vend kandidat për pranim në BE.

Të nderuar të pranishëm!

Objekti i diskutimit të këtij sesioni,”Siguria e Kufijve dhe Kërcënimet ndaj Sigurisë”është një çështje që ka qenë shqetësuese dhe është në vëmendje të shumicës së vendeve të Ballkanit.I mirëkuptoj të gjithë parafolësit për problematikat e përballuara dhe të pritshme dhe për mundësinë e zgjidhjes në vazhdimësi,por,duke qenë përfaqësuesi i një shteti,që është në formësim e konsolidim të institucioneve shtetërore dhe në proces përcaktimi e ligjërimi të kufijve shtetërorë,do të mundohem të vë në dukje vështirësitë që burojnë nga veçoritë tona specifike;

kufijtë e Republikës së Kosovës nuk mund të cilësohen dhe as të konsiderohen hipotetikisht të pasigurt dhe të kërcënuar për hir të pranisë ndërkombëtare te ne.Ky është një fakt i njohur dhe i pranuar ndërkombëtarisht. Por ,nuk mund të rri pa përmendur një fakt,që kam përshtypjen ,për të mos thënë që jam i bindur ,që të gjithë JU në këtë sallë e dini:

Shteti i pavarur i Kosovës është ende në proces përcaktimi e ligjërimi të kufijve shtetëror me shtetet fqinje. Që sot fillon java e dytë e procesit në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë, që po shqyrton legjitimitetin e Pavarësisë sonë,të njohur deri tash nga 63 shtete. Që kufijtë tanë shtetërorë,në përgjithësi,supervizohen nga ndërkombëtarët,kurse në veri,kufijtë tanë me Serbinë,jo vetëm kontrollohen, por edhe administrohen prej tyre.

Megjithëkëtë specifikë të shtetit tonë të ri ,jam i autorizuar edhe nga Kuvendi i Republikës së Kosovës, që të deklarohem para kësaj Konference se kufijtë tanë ,pas shpalljes së Pavarësisë,kanë qenë dhe janë si kurrë më parë të sigurt. E them këtë duke pasur parasysh vështirësitë dhe “sëmundjet”që shfaqen rëndomë në kufijtë shtetërorë,që u përmendën nga parafolësit. Këto janë në vëmendje dhe ç’do ditë e më shumë do të vihen në fokus të Qeverisë së Kosovës,që është e angazhuar dhe e interesuar posaçërisht,si qeveri e një shteti në formësim për përcaktimin,ligjërimin dhe sigurimin e kufijve shtetëror.

E mirëkuptoj rëndësinë e trajtimit të kësaj çështje në sesionin e parë të kësaj konference. Siguria e kufijve dhe pasiguria e kufijve si kërcënim për Ballkanin dhe më gjerë ,është dhe dëshiroj të jetë sa më jetëshkurtër. Sepse “sëmundja” ndërshtetërore ,që ne sot po e emërtojmë “Siguria e kufijve dhe kërcënimet ndaj sigurisë” e ka dhe pret të marrë ilaçin e vet shërues :pranimin sa më të shpejtë të Evropës Juglindore në BE!

Të nderuar pjesëmarrës!

Duke ju falënderuar për vëmendjen që shfaqët ndaj kësaj fjale,dëshiroj,njëkohësisht, t”ju garantoj për predispozitën,angazhimin dhe vendosmërinë e gjithë strukturave të shtetit të Kosovës,për të vazhduar e thelluar kontributin e dhënë,që edhe deri tashmë e kanë shndërruar dhe e kanë konfirmuar Kosovën si faktor stabiliteti në rajon.

Ju falënderoj!”