Lajmet e fundit

Mbledhja e Komisionit për Buxhet dhe Financa

, 08.12.2009




Gjatë mbledhjes së sotme të Komisionit për Buxhet dhe Financa, kryesuar nga Gani Koci, kryetar i Komisionit, u bë shqyrtimi i kërkesës buxhetore të Institucionit të Avokatit të Popullit, i kërkesës buxhetore të Zyrës së Auditorit të Përgjithshëm, si dhe shqyrtimi i kërkesës buxhetore të Autoritetit Rregullativ të Telekomunikacionit, të gjitha për vitin 2010.

Sa i përket pikës së rendit të ditës rreth shqyrtimit të kërkesës buxhetore të Zyrës Rregullatore për Energji për vitin 2010, Komisioni për Buxhet dhe Financa miratoi kërkesën e ZRRE-së që për projektet e kësaj agjensie të ndahet buxheti i kërkuar nga kjo agjensi në shumë prej 170.000 euro, për të cilën u pajtuan edhe përfaqësues të MEF-it.

Lidhur me kërkesën buxhetore të Institucionit të Avokatit të Popullit për vitin 2010, për rritje të pagave të zyrtarëve të lartë të Institucionit të AP-së dhe për shujtë, anëtarët e Komisionit për Buxhet dhe Financa nuk e mbështetën, meqë pagat e këtij institucioni i përcakton ligji, i cili aktualisht është në fuqi. Ndërkaq, sa i përket shtimit të numrit të punëtorëve në këtë institucion, anëtarët e Komisionit u pajtuan, bashkërisht me zyrtarë të MEF-it, që të plotësohet kërkesa e tyre.

I pranishëm në këtë mbledhje ishte edhe Avokati i Popullit, Sami Kurteshi, i cili kërkoi nga Komisioni që të ketë fleksibilitet në rast të nevojave të tyre. Ai, kërkoi në vazhdimësi përkrahje dhe mbështjetje nga Komisioni për Buxhet dhe Financa si dhe nga MEF-i. Përfaqësues të AP-së mes tjerash theksuan edhe nevojën për kompletimin e stafit dhe të zyreve të reja nëpër pesë komuna të Kosovës.

Zëvendësministri i MEF-it, Bedri Hamza, që po ashtu ishte i pranishëm në mbledhjen e Komisionit për Buxhet dhe Financa theksoi se asnjë kërkesë e dalë nga zyra e Avokatit të Popullit nuk do të mbetet pa përkrahje.

Sa i përket pikës tjetër të rendit të ditës, ajo e shqyrtimit të kërkesës buxhetore të Zyrës së Auditorit të Përgjithshëm për vitin 2010, kërkesa e përfaqësuesve të Auditorit të Përgjithshëm ngjalli debate të nxehta në mes anëtarëve të Komisionit dhe përfaqësuesve të Auditorit. Përfaqësues të ZAP-it përveç kërkesës për rritjen e stafit, rritjen e pagave dhe shujtave, ata kërkonin edhe 100 mijë euro nga Buxheti I Kosovës rreth nevojave tjera të tyre. Megjithatë, kjo kërkesë e tyre nuk u mbështet nga ana e anëtarëve të Komisionit. Madje, anëtarët e Komisionit po ashtu shprehen dyshimet e tyre rreth raporteve financiare të Zyrës së Auditorit të Përgjithshëm.

Në vazhdim u shqyrtua kërkesa buxhetore e Autoritetit Rregullativ të Telekomunikacionit për vitin 2010. Kryetari i bordit të ART-së, Ekrem Hoxha, pasi shpalosi projektet e Autoritetit Rregullativ të Telekomunikacionit, mori mbështjetjen nga anëtarët e Komisionit dhe të përfaqësuesve të MEF-it. Projektet e ART-së, si: Qendra Nacionale për monitorime të spektrit, fikse, mobile; sistemi menagjerial për bartshmëri të numrave dhe; sistemi informativ bazuar në web teknologji dhe me komponente gjeografike, u mbështetën plotësisht nga anëtarët e Komisionit. Ndërsa, zëvendësministri i MEF-it, Bedri Hamza propozoi që për të tri projektet të ndahet buxheti i kërkuar nga ART, për secilin projekt nga 50 për qind e shumës së kërkuar.
Mbledhja e Komisionit për Buxhet dhe Financa