Lajmet e fundit

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, dr. Jakup Krasniqi, mbajti një fjalë rasti në Konferencën Ndërkombëtare të Arsimit

, 09.12.2009




Në Prishtinë, sot, filloi konferenca ndërkombëtare e arsimit parauniversitar, e organizuar nga Ministria e Arsimit , Shkencës dhe Teknologjisë. Me një fjalë rasti pjesëmarrësve të kësaj konference iu drejtua kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, dr. Jakup Krasniqi. Në fjalën e tij ai theksoi: “

I nderuar ministër, zoti Enver Hoxhaj,
Të nderuar përfaqësues të institucioneve ndërkombëtare,
Të nderuar përfaqësues diplomatikë,
Të nderuar mysafirë të ftuar,
Zonja dhe zotërinj

Kam nderin që në emër të Kuvendit të Republikës së Kosovës të përshëndes të gjithë të pranishmit dhe Konferencës t’i uroj punime të mbara dhe të frytshme.

Tema që po trajton Konferenca është e një rëndësie të veçantë, sepse ka të bëjë me fëmijët dhe të rinjtë, ka të bëjë me të ardhmen dhe përfaqësuesit e saj. Në Kosovë, popullsia e së cilës përbëhet në shumicë nga të rinjtë, çështjet e arsimit përbëjnë prioritet të lartë shtetëror dhe shoqëror.

Arsimi në Kosovë, kurrë në të kaluarën nuk e ka pasur trajtimin meritor. Për pasojë, institucionet tona të pasluftës janë përballur me probleme të shumta dhe serioze në fushë të arsimit. Duke pasur parasysh numrin e madh të nxënësve dhe mungesën e ndjeshme të infrastrukturës e të kapaciteteve profesionale, normalizimi i gjendjes së arsimit në Kosovë kërkonte para se gjithash mjete kolosale financiare, të cilat buxheti ynë nuk arrinte t’i përballonte.

Tashti, kur Qeveria e vendosi në nivel të lartë të prioritetit të saj, mund të thuhet se arsimi i Kosovës në përgjithësi dhe ai parauniversitar, në veçanti u kthyen për së mbari, kurse rezultatet janë të dukshme.

Kuvendi i Kosovës ka miratuar legjislacion modern për arsimin, kurse vitin e kaluar adoptoi Deklaratën e Mileniumit, e cila në objektivat e saj zhvillimore rëndësi të veçantë i jep arsimit. Këtë vit në Kuvend u miratua edhe e ashtuquajtura Letra e Bardhë, e cila ka të bëjë me agjendën evropiane të përfshirjes sociale. Braktisja e shkollimit fillor dhe gjithëpërfshirja e fëmijëve të Kosovës në procesin edukativ ende paraqitet si problem i mprehtë i shoqërisë sonë, prandaj zbatimi me përkushtim i Letrës së Bardhë bëhet një detyrë e ngutshme dhe imediate.

Që nga mbarimi i Luftës, institucionet e Kosovës kanë bërë përpjekje të përbashkëta me donatorë zemërgjerë ndërkombëtarë për ngritjen e objekteve të reja të arsimit dhe për përmirësimin e cilësisë së mësimdhënies, por mbetet akoma shumë punë për të arritur standardet e synuara.

Fëmijët nuk kanë çerdhe dhe institucione parashkollore të mjaftueshme. Duhen objekte të tjera shkollore për të hequr dy e më shumë ndërresa në shkolla, ka nevojë për aftësim të vazhdueshëm profesional të arsimtarëve dhe për reformim të shkollës, kurrikuleve, të teksteve mësimore e të vlerësimit të performancës.

Ne duhet të sigurohemi për një përgatitje meritore të nxënësve për të qenë qytetarë të denjë të Kosovës së re, për të qenë konkurrentë në tregun e punës dhe për t’u barazuar me kolegët e tyre në vendet evropiane.

Shpresoj shumë që kjo Konferencë do të kontribuojë për hulumtimin e përvojave të avancuara dhe do të këmbejë pikëpamje lidhur me arsimin modern, do të pasurojë praktikën tonë arsimore me të arriturat e të tjerëve dhe do të ndihmojë për konsolidimin e standardeve kombëtare në arsim.

Një kujdes të veçantë mendoj duhet pasur për shkollat profesionale në Kosovë, të cilat do të përputheshin plotësisht me nevojat e tregut të punës.

Konferenca, padyshim përbën rast të mirë për të bërë edhe një bilanc përmbledhës dhe informues për zhvillimet e reja në fushë të arsimit në Kosovë dhe në mërgatë.

Një nga objektivat e dikasterit të arsimit në Kosovë mendoj duhet të jetë krijimi i kushteve për intensifikimin i bashkëpunimit me institucionet dhe asociacionet e arsimit në vendet e rajonit dhe të Evropës.

Arsimi, si fushë e rëndësishme e jetës shoqërore përbën një faktor të paevitueshëm në procesin e integrimeve të gjithëmbarshme evropiane të Kosovës.

Faleminderit”
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, dr. Jakup Krasniqi, mbajti një fjalë rasti në Konferencën Ndërkombëtare të Arsimit