Lajmet e fundit

Nënshkruhet Memorandumi i vazhdimit të Bashkëpunimit mes Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe NDI-së

, 10.12.2009




Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, dr. Jakup Krasniqi, dhe drejtori i Zyrës së NDI-së në Kosovë, z.Carlo Binda, nënshkruan sot Memorandumin e Bashkëpunimit, i cili shënon vazhdimin e bashkëpunimit mes Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe NDI-së.

Programi për Fuqizimin e Kuvendit të Kosovës (KASP) është financuar nga Agjencia për Zhvillim Ndërkombëtar të Shteteve të Bashkuara (USAID) dhe është vazhdimësi e programeve të NDI-së të implementuara në Kuvendin e Kosovës deri më sot. Në kuadër të programit të ri trevjeçar, NDI synon forcimin e kapaciteteve të Kuvendit për të zhvilluar hulumtime legjislative, ofrimin e mbështetjes adekuate për deputetët, avancimin e kapaciteteve menaxhuese në Sekretarinë e Kuvendit, sistematizimin dhe standardizimin e procedurave dhe praktikave më të mira të punës në Kuvend, rritjen e efikasitetit të punës në komisionet parlamentare dhe ngritjen e nivelit të transparencës dhe komunikimit në mes të Kuvendit dhe publikut.

Kryekuvendari Krasniqi, në takimin që pati me këtë rast me z. Carlo Binda, theksoi:” NDI ka qëndruar përkrah Kuvendit që nga themelimi i tij dhe ka dhënë kontribut të rëndësishëm në vendosjen dhe avancimin e praktikave më të mira të parlamenteve demokratike. Andaj, mirëpresim vazhdimin e programeve të NDI-së dhe shprehim përkushtimin tonë për të punuar drejt avancimit të fushë veprimtarisë së Kuvendit si institucion”. Z.Carlo Binda, drejtor i Zyrës së NDI-së, duke folur për këtë Memorandum, theksoi:” Kuvendi i Kosovës, si institucioni i vetëm i zgjedhur drejtpërdrejt nga qytetarët luan rol qendror në zhvillimin dhe avancimin e sistemit demokratik të qeverisjes. NDI synon të vazhdojë të mbështesë Kuvendin drejt përmbushjes së standardeve ndërkombëtare për legjislaturat demokratike” .

Vlen të theksohet se Instituti Demokratik Kombëtar (NDI) punon në Kosovë që nga viti 1999, duke ofruar asistencë për shoqërinë civile, partitë politike dhe Kuvendin, në përpjekje për të promovuar dhe forcuar demokracinë pluraliste. NDI ka mbështetur punën e Kuvendit që nga viti 2001, duke punuar me udhëheqësit e Kuvendit, deputetët dhe personelin në një sërë programesh me qëllim të zhvillimit institucional dhe ndërtimin e kapaciteteve për të ushtruar me efikasitet funksionin përfaqësues, ligjvënës dhe mbikëqyrës.
Nënshkruhet Memorandumi i vazhdimit të  Bashkëpunimit mes Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe NDI-së