Lajmet e fundit

Nga mbledhja e Komisionit për të Drejtat dhe Interesat e Komuniteteve

, 09.12.2009




Komisioni për të Drejtat dhe Interesat e Komuniteteve dhe Kthim, i kryesuar nga zonja Sanije Alijaj, zëvendëskryetare e parë e Komisionit, sot mbajti mbledhje dhe pikë kryesore pati Raportin e ministrit të Ministrisë së Punëve të Brendshme, z. Zenun Pajaziti, në lidhje me moszbatimin e Ligjit për nënshtetësinë, sidomos në Komunën e Pejës dhe Komunën e Istogut, në bazë të neneve 28 e 29 të këtij Ligji.

Në këtë mbledhje, përveç anëtarëve të Komisionit, morën pjesë edhe përfaqësuesit e Ministrisë së Punëve të Brendshme me në krye ministrin Zenun Pajaziti, si dhe përfaqësuesit e OSBE-së e të Asociacionit të Komunave të Kosovës.

Ministri Pajaziti, duke folur për këtë pikë të rendit të ditës, theksoi se në lidhje me moszbatimin e Ligjit për nënshtetësinë, sidomos në Komunën e Pejës dhe Komunën e Istogut, sipas neneve 28 dhe 29 të këtij Ligji, para një kohe ishin disa probleme administrative, por pas nënshkrimit të Urdhëresës Administrative nga ana e ministrit për zbatimin e këtij Ligji në terren, ky problem është tekjaluar. Në vazhdim ministri theksoi se Ministria po bënë gjthçka që është në kompetencën e saj, për ta thjeshtësuar procedurën në lidhje me marrjen e dokumenteve personale.

Në vazhdim të mbledhjes, anëtarët e Komisionit, gjithashtu, shqyrtuan Projektligjin për tatimin mbi vlerën e shtuar, me Raportin e Komisionit funkcional, Komisionit për Buxhet e Financa, me amendamente, Projektligjin për masat doganore për mbrojtjen të drejtat e pronësisë intelektuale, me Raportin e Komisionit funkcional, Komisionit për Buxhet e Financa, me amendamente, dhe Projektligjin për ndryshimet dhe plotësimet e Ligjit për pyjet e Kosovës , me Raportin e Komisionit funkcional, Komisionit për Bujqësi, Pylltari, Zhvillim Rural, Mjedis dhe Planifikim Hapësinor, me amendamente, duke e përkrahur procedimin e tyre për miratim në Kuvendin e Republikës së Kosovës, kurse Projektligji për ndarjen e dekoratave nga kryetari i Republikës së Kosovës, me Raportin e Komisionit funkcional, Komisionit për Legjislacion dhe Gjyqësi, me amendamente nuk kaloi, për shkak se në këtë Projektligj edhe sot e kësaj dite, ky Komision nuk i ka dhënë amendamentet e veta, kështu që shqyrtimi I kësaj pike do të bëhet në mbledhjen e parë të ardhshme të Komisionit.
Nga mbledhja e Komisionit për të Drejtat dhe Interesat e Komuniteteve