Lajmet e fundit

Nga dëgjimi publik i Komisionit për Punë të Brendshme dhe Siguri

, 14.12.2009




Komisioni për Punë të Brendshme dhe Siguri i Kuvendit të Kosovës, ka mbajtur sot një dëgjim publik lidhur me Projektligjin për Mbrojtjen e të Dhënave Personale.

Zv/ kryesuesja e Komisionit Suzan Novobrdaliu, referuese për ketë Projektligj, duke e hapur këtë debat kërkoi nga të pranishmit, përfaqësues të subjekteve të ndryshme vendore, që të japin propozime të ndryshme dhe vërejtje rreth këtij projektligji, në mënyrë që të plotësohen mangësitë që ekzistojnë. Znj. Novobrdaliu, fillimisht ka vënë në pah faktin se Ligji për Mbrojtjen e të Dhënave Personale është shumë i rëndësishëm, meqë ky Ligj përcakton të drejtat, përgjegjësitë, parimet dhe masat lidhur me mbrojtjen e të dhënave personale dhe themelon institucionin mbikëqyrës që është përgjegjës për mbikëqyrjen e legjitimitetit të përpunimit të të dhënave.

Përfaqësuesi i Kompanisë së Sigurimit Fizik, Agron Jusufi, kërkoi nga zyrtarë të Ministrisë së Punëve të Brendshme që në këtë projektligj të trajtohet problematika e sigurimit fizik, meqë edhe punonjës të kësaj kompanie janë grumbullues të të dhënave dhe kërkues. Jusufi tha se duhet të rregullohet me ligj edhe çështja e të dhënave nga MPB dhe Policia e Kosovës, se kush duhet mbajë përgjegjësinë për ruajtjen e të dhënave, ngase, sipas tij, ekziston një mjegullnajë e përgjegjësisë rreth të dhënave personale. Kompanitë nuk mund të marrin informata nga institucionet përgjegjëse, tha Jusufi, duke shtuar se në mungesë të ligjit për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, po shkelen të drejtat e njeriut në Kosovë.

Shkodran Manaj, zyrtar ligjor në Ministrinë e Punëve të Brendshme, fillimisht sqaroi se Projektligji për Mbrojtjen e të Dhënave Personale është sponzoruar nga MPB. Në hartimin e këtij projektligji, sipas Manajt, kanë qenë të përfshirë ekspertë vendorë dhe ndërkombëtarë. Madje, ai sqaroi se në përpunimin e këtij projektligji ka qenë i përfshirë edhe një ekspert me renome, nga Këshilli Evropian. Manaj, duke pranuar se projektligji nuk është i perfeksionuar, kërkoi nga të pranishmit që të dalin me propozime të tyre, në mënyrë që të konsultohen dhe të përgatisin një draft-ligj pa mangësi. Florian Qehaja, nga Qendra e Studimit për Siguri, u shpreh se Kosova është vendi i vetëm që ka mbet pa Ligjin për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, prandaj ai kërkoi nga anëtarët e Komisionit që ta përshpejtojnë miratimin e këtij ligji.

Përkitazi më këtë projektligj, Avni Tërnava nga Kompania e Sigurimit Slloven, vuri në pah edhe çështjen e Databazes Nacionale, duke e quajtur si të pashmangshme, si dhe funksionalizimin e një arkitekture shtetërore Përfaqësues të Kompanive Private të Sigurisë në Kosovë duke shprehur shqetësime të shumta rreth projektligjit, kërkuan nga zyrtarë të Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe nga anëtarët e Komisionit për Punë të Brendshme dhe Siguri që të marrin parasysh propozimet e tyre.

Pjesëmarrësit në këtë dëgjim publik janë pajtuar që deri në fund të kësaj jave të përgatisin rekomandimet e tyre për projektligjin për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, në mënyrë që materia e këtij ligji të jetë e shtruar në mënyrë të drejtë dhe pa mangësi. Krejtësisht në fund, u vlerësua se Projektligji për Mbrojtjen e të Dhënave Personale është voluminoz dhe se duhet rregulluar disa paqartësi brenda tij.
Nga dëgjimi publik i Komisionit për Punë të Brendshme dhe Siguri