Lajmet e fundit

Nga mbledhja e Kryesisë së Kuvendit të Kosovës

, 15.12.2009




Kryesia e Kuvendit të Republikës së Kosovës ka vendosur që Kuvendi të mbajë seancë të premten, më 18 dhjetor, si dhe ka përcaktuar rendin e ditës për këtë seancë. Në këtë mbledhje të drejtuar nga dr. Jakup Krasniqi, kryetar i Kuvendit, në të cilën merrnin pjesë edhe shefat e grupeve parlamentare, janë shqyrtuar edhe kërkesa të ndryshme dhe rekomandime të grupeve parlamentare dhe të komisioneve të Kuvendit.

Në fillim të seancës, si rëndom, Kabineti qeveritar do t’u përgjigjet pyetjeve të deputetëve për punën e Qeverisë së Kosovës, kurse në vazhdim do të procedohet me projektligjet. Për herë të parë do të shqyrtohet Projektligji për klasifikimin e informatave dhe verifikimin e sigurisë, kurse për herë të dytë do të shqyrtohet Projektligji për masat antidamping (të dy këto projektligje janë bartur nga seanca e kaluar).

Fare në fund të seancës, ndërkaq, deputetët do të shqyrtojnë Raportin e punës së Agjencisë së Privatizimit për periudhën gusht 2008-gusht 2009.

Kryesia, po në mbledhjen e sotme, ka shqyrtuar kërkesën e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës (shkas ishte zvogëlimi i buxhetit të kësaj gjykate nga Ministria e Ekonomisë dhe Financave), duke kërkuar nga Komisioni për Buxhet dhe Financa i Kuvendit, që konform Ligjit për Gjykatën Kushtetuese të Kosovës, të përgatisë rekomandimet e nevojshme, të cilat do të miratohen nga seanca plenare.

Duke e shqyrtuar Rekomandimin e Komisionit për Legjislacion dhe Gjyqësi dhe Komisionit për Administratë Publike, Pushtet Lokal dhe Media lidhur me vendimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës për masën e përkohshme për parapagimin e RTK-së, Kryesia ka konstatuar se, me gjithë faktin që RTK-ja nuk e ka dorëzuar propozim-planin financiar, që i është kërkuar, RTK-ja duhet të mbështetet financiarisht.

Kryesia ka mbështetur kërkesën e Grupit Parlamentar të LDK-së për procedimin e Projektligjit për Prishtinën në Kuvend, duke kërkuar nga Qeveria e Kosovës që sa më parë ta sjellë këtë projektligj për miratim në Kuvend.

Sot është shtruar përsëri edhe kërkesa e Grupit Parlamentar e AKR-së për të debatuar për mosimplemntimin e vendimeve të formës së prerë për pronësitë e trajtuara uzurpime arbitrare në tokat e pronësisë shoqërore, dhe përsëri është kërkuar (nga parashtruesi i kërkesës) material bazë për debat.

Edhe në kërkesën e përsëritur të Grupit Parlamentar të AAK-së për të debatuar lidhur me humbjen e jetës së qytetarëve të Kosovës në lumin Tisa, (në kufirin ndërmjet Serbisë dhe Hungarisë), Kryesia ka kërkuar edhe një herë me urgjencë nga Ministria e Punëve të Brendshme dhe ajo e Drejtësisë , material bazë për veprimet e marra që të ndriçohet rasti dhe të çohet në vend drejtësia.

Pasi Kryesia është njoftuar se u ka skaduar mandati tre anëtarëve të Komisionit për Miniera dhe Minerale, kurse Qeveria, me gjithë kërkesën e përsëritur të Kuvendit, nuk ka propozuar emrat për anëtarë të rinj, anëtarët e Kryesisë kanë mbështetur propozimin e kryeparlamentarit Krasniqi që këtyre tre anëtarëve të KMM-së Kuvendi t’ua vazhdojë mandatin edhe për gjashtë muaj.

Kryesia e ka mbështetur Raportin shpenzimeve të Kuvendit për tremujorin e tretë të vitit 2009, rekomandimet e Komisionit për Buxhet dhe financa për rikonfigurimin e pagave të deputetëve, si dhe është njoftuar nga sekretari i Kuvendit, Ismet Krasniqi, për investimet kapitale në Kuvendin e Kosovës.
Nga mbledhja e Kryesisë së Kuvendit të Kosovës