Lajmet e fundit

Fjalë e Kryetarit Krasniqi, në Konferencën “ Institucionet e pavarura, sfidat dhe parashikimet”

, 16.12.2009




I nderuar zoti ambasador Almhofer,
Zonja dhe zotërinj

Kam nderin që në emër të Kuvendit të Republikës së Kosovës të përshëndes të gjithë të pranishmit dhe Konferencës t’i uroj punime të suksesshme.

Institucionet e pavarura në Kosovë janë kategori kushtetuese dhe pjesë e sistemit institucional e demokratik. Kuvendi i Republikës së Kosovës, në bazë të autorizimeve kushtetuese dhe ligjore, ka themeluar një numër të konsiderueshëm të institucioneve të pavarura.

Kuvendi ka siguruar gjithashtu kornizën ligjore përkatëse dhe moderne për funksionimin e këtyre institucioneve. Themelimi, funksionimi, kompetencat dhe raportet reciproke në mes të Kuvendit e agjencioneve apo institucioneve të pavarura janë të rregulluara me ligj. Ato gëzojnë mbrojtjen ligjore në ushtrimin e plotë dhe të pavarur të përgjegjësive, pa ndikimin apo ndërhyrjen politike të organeve dhe autoriteteve pushtetore.

Institucionet e pavarura përmbushin funksionin e tyre mbikëqyrës ose ekzekutiv duke qenë të pavarura në aspektin financiar, sepse fondet buxhetore i menaxhojnë vetë, por në bazë të planifikimeve buxhetore.

Agjencionet e pavarura, megjithatë janë llogaridhënëse. Ato në shpenzimet e parasë publike u nënshtrohen ligjeve, siç është Ligjit për Menaxhimin e Financave Publike dhe Përgjegjësitë, apo Ligji i Prokurimit Publik, sikur çdo agjencion tjetër buxhetor. Po ashtu, ato duhet të jenë edhe të mbikëqyrura. Mbikëqyrja e këtyre institucioneve është detyrë dhe kompetencë e Kuvendit të Kosovës, i cili përcjell zbatimin e ligjit dhe shqyrton raportet obligative të tyre.

Jemi të vetëdijshëm që masa e buxhetit të institucioneve të pavarura nuk është e mjaftueshme, por duhet të kemi parasysh buxhetin relativisht të kufizuar të shtetit. Megjithatë ne i kuptojmë nevojat e çdo agjencioni veç e veç, në bazë të specifikave që kanë, prandaj Kuvendi përmes trupave të tij i shqyrton dhe i debaton propozimet buxhetore të agjencioneve të pavarura para se të vendoset për to. Në procesin buxhetor propozuesit mund ta thonë fjalën e tyre dhe t’i mbrojnë kërkesat.

Roli dhe rëndësia e institucioneve të pavarura janë të pakontestueshme dhe me peshë të veçantë.

Duke qenë në proces të zhvillimit dhe konsolidimit të plotë, institucionet e pavarura, po kalojnë shpesh nëpër vështirësi, sfida dhe dobësi të rritjes. Kjo ndodh në çdo demokraci dhe në mënyrë të veçantë në demokracitë e reja, ku konsolidimi institucional është proces me shumë të panjohura e pa përvojën e traditës.

Institucionet e pavarura në bazë të obligimeve ligjore i raportojnë Kuvendit të Republikës së Kosovës. Raportet e tyre shqyrtohen fillimisht nga komisionet parlamentare, gjithnjë duke respektuar autonominë vendimmarrëse që kanë. Kuvendi u rekomandon agjencioneve në kuptim të përmirësimit të proceduarve menaxhuese dhe vendimmarrëse, por pa e cenuar pavarësinë vendimmarrëse të agjencioneve. Vendimet e këtyre institucioneve janë ekzekutive dhe të respektueshme në kuptim të zbatimit të tyre.

Kuvendi është i përkushtuar për funksionalizimin ligjor dhe fuqizimin institucional të agjencioneve të pavarura, për mbrojtjen e pavarësisë së tyre, sepse veç rolit praktik ato ndikojnë në shëndetin e demokracisë së përgjithshme të vendit tonë dhe në përafrimin me standardet evropiane.

Ju uroj sukses të plotë.

Faleminderit.
Fjalë e Kryetarit Krasniqi, në Konferencën “ Institucionet e pavarura, sfidat dhe parashikimet”