Lajmet e fundit

Kryeparlamentari Krasniqi priti presidentin e Sllovenisë, Danilo Turk

, 21.12.2009




Kryetari i Kuvendi të Kosovës, dr. Jakup Krasniqi, e ka pritur sot presidentin e Republikës së Sllovenisë, dr. Danilo Turk, me të cilin ka biseduar për thellimin e bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve.

Duke i dëshiruar mirëseardhje në Kosovë presidentit slloven, kryeparlamentari Krasniqi e ka falënderuar për mbështetjen e gjithanshme të Republikës së Sllovenisë dhe të z. Turk, personalisht, për Kosovën dhe të ardhmen e saj drejt integrimeve evropiane.

Në këtë takim, në të cilin merrnin pjesë edhe anëtarët e Kryesisë: Sabri Hamiti dhe Sllobodan Petroviq, si dhe anëtarë të kabinetit të kryeparlamentarit, Krasniqi i ka prezantuar mikut slloven zhvillimet në Kosovës dhe rajon, konsolidimin e institucioneve të Kosovës, stabilitetin e vendit dhe kohezionin e arrirë politik.

Ndër të arriturat e Kosovës, pas shpalljes ë pavarësisë së vendit, Krasniqi ka përmendur njohjen e Kosovës nga 64 vende të ndryshme të botës, përfshirë SHBA-të dhe shumicën e shteteve të BE-së, pastaj anëtarësimin e vendit në Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe Bankën Botërore, si dhe harmonizimin e legjislacionit të Kosovës me atë të vendeve të BE-së. Kryeparlamentari Krasniqi është shprehur optimist se pas përfundimeve të Gjykatës Ndërkombëtare për Drejtësi, lidhur me legjitimitetin e shpalljes së pavarësisë, njohjet për Kosovën do të jenë edhe më të shumta.

Kreu i legjislativit të vendit ka pohuar se marrëdhëniet e Kosovës me të gjitha vendet e rajonit janë të mira dhe korrekte, pos me Serbinë, e cila vazhdon përpjekjet për ta penguar zhvillimin demokratik të Kosovës dhe afirmimin ndërkombëtar të saj. Duke folur, ndërkaq, për prioritetet e Kosovës, Krasniqi ka veçuar integrimin e vendit në strukturat evropiane, duke kërkuar, me këtë rast, mbështetjen e Sllovenisë për këtë proces dhe për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës. Ai ka pohuar se, aktualisht, institucionet e Kosovës janë duke i shqyrtuar dhe përmbushur rekomandimet nga Raporti i Progresit i Komisionit Evropian për Kosovën.

Krasniqi i ka vlerësuar të shkëlqyeshme marrëdhëniet e Kosovës me Slloveninë, si në nivelin politik dhe diplomatik, ashtu edhe në atë ekonomik, duke i quajtur shpresëdhënëse investimet sllovene në ekonominë e vendit tonë.

Presidenti i Republikës së Sllovenisë, dr. Danilo Turk, i cili shoqërohej nga bashkëpunëtorë dhe ambasadori i Sllovenisë në Republikën e Kosovës Jozef Hlep, ka vlerësuar të arriturat e Kosovës, pas shpalljes së pavarësisë së vendit, sidomos zhvillimet e pandërprera demokratike, tregues i të cilave , siç ka thënë ai, janë edhe zgjedhjet e sapo mbajtura lokale në Kosovë. Ai ka theksuar vendosmërinë e vendit të tij për të thelluar bashkëpunimin ndërmjet dy vendeve.

Turk ka vlerësuar se ka hapësira të gjëra për thellim të bashkëpunimit ndërparlamentar, në lëmin e ekonomisë, të investimeve etj, ndërkaq, ka premtuar mbështetjen e Sllovenisë për forcim të ekonomisë së Kosovës dhe për anëtarësim në strukturat evropiane.

Pavarësia e Kosovës është reflektuar shumë pozitivisht për paqen dhe stabilitetin e rajonit, janë pajtuar bashkëbiseduesit në këtë takim.

Presidenti i Republikës së Sllovenisë, dr. Danilo Turk, gjatë vizitës në Kuvendin e Republikës së Kosovës është nënshkruar në Librin e përshtypjeve.
Kryeparlamentari Krasniqi priti presidentin e Sllovenisë, Danilo Turk